
SHKODËR- Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës në Shkodër, si pjesë e aksionit “mosbindja civile” që ka ndërmarrë opozita. Pas atentatit me 3 viktima dhe një të plagosur në Shkodër, opozita e zhvendosi ‘mosbindjen civile’ në këtë qytet. Protesta, u lajmërua nga kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalimit të përnatshëm nga ballkoni i shtëpisë së tij. Po ashtu, në konferencën e tij për mediat, Berisha tha se protesta është si shenjë solidariteti me qytetarët duke akuzuar qeverinë dhe policinë se bashkëpunon me banda.
“Masakra e Shkodrës, ishte një masakër e paralajmëruar, ishte një masakër e licensuar nga Edi Rama, narkopolicia dhe narkodrejtësia e këtij sistemi” tha Berisha.
Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Tashmë ka nisur aksioni për kapjen e autorëve, por deri më tani pas ka mbetur vetëm makina e tyre e djegur.
Deri më tani, opozita ka organizuar 2 protesta të mbajtura me datë 7 tetor dhe 29 tetor. Më 7 tetor, protesta u mbajt në Tiranë ku u hodhën molotov drejt instuticioneve shtetërore. Ndërsa më 29 tetor protesta u mbajt në 6 rrethrrotullimet e akseve kryesore nacionale, duke sjellë bllokimin e tyre për 3 orë. Gjatë tubimeve, pati përleshje mes protestuesve dhe policisë, ku u arrestuan disa persona. /ZËRI