Aktualitet

DOSJA 5D- Mazniku dëshmon në GJKKO: Me Mollën, Qaton dhe Tushen kam pasur raporte të mira. Biznesmenin s'e njoh

Ai është kërkuar si dëshmitar nga ana e SPAK për dosjen 5D

E.K
DOSJA 5D- Mazniku dëshmon në GJKKO: Me Mollën, Qaton dhe Tushen
arbjan mazniku ne gjkko

TIRANË- Ish-ministri i shtetit për Pushtetin Vendor dhe deputeti socialist Arbjan Mazniku është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të dëshmojë në seancën për dosjen 5D.

Mazniku është kërkuar si dëshmitar nga Prokuroria e Posaçme, në lidhje me dosjen e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës, për të cilën vijojnë të qëndrojnë në paraburgim disa prej ish-drejtorëve më të rëndësishëm.

Gjatë dëshmisë së tij në sallën e gjyqit, Mazniku ka mohuar njohjen me Nestor Muhametllarin, biznesmeni i cili akuzohet për dosjen 5D. Ndërkohë që ka pranuar se me 3 ish-drejtorët e bashkisë Tiranë, Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha ka pasur raporte të mira pune dhe kontakte të vazhdueshme.

PJESE NGA DËSHMIA

Mazniku: Në vitet 2019 – 2021 kam pasur postin e nënkryetarit të Bashkisë. Detyra ime si titullar i autoriteti kontraktuor, bën verifikim final te procedurës dhe firmos në fund kontratën, nuk jam marrë me lëndën pasi verifikimet janë kryer nga ekspertët. Raporti përmbledhës është raport i bërë me ekspert, pasi drejtorët e fushës respektive kanë miratuar procesin. Ne kalonim me dhjetëra procedura në dritë, unë sigurohesha që personat përgjegjës kishin bërë firmosjen e dokumenteve dhe ata kishin bërë detyrën e tyre dhe unë thjesht e certifikoja si proces.

Në thelb është certifikimi i faktit ata që vijnë nga fushat përkatëse, si inxhinierët juristët e tjerë dhe kanë bërë detyrë e tyre. Redi Mollën, Mariglen Qaton i njoh kam pas marrëdhënie shumë të mirë me to. Ndërsa Nestor Muhametllarin nuk e njoh. Nuk kam pasur informacion që ata kishin interesa nga shoqëri të ndryshme.

Avokati Ardian Leka: Ju si bashki keni tenderuar disa procedura, përgjatë gjithë këtyre tenderimeve ju ka qëlluar punë e pambaruar?

Mazniku: Patjetër që janë bërë qindra projekte ka momente që një pune mund të ngec, ka pas arsye të ndryshme që mund të bëheshin pengesë, por saktësoj se këto janë pjesë teknike. Unë nuk di të ketë projekte të pambaruar, por di që ka pasur projekte që nga 1 vit kanë zgjatur deri në 1 vit e gjysëm. Kur punimet ndalonin për faj të kompanisë merreshin masa në ngarkim  të kompanisë, deri në përjashtimin e saj nga gara për tenderat.

Avokat Denion Bogdani: Keni pas ndërhyrje për të favorizuar kompaninë 5D ose Vas konstruksion?

Mazniku: Jo, nuk kam pasur.

Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kanë krijuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato. I pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Të gjithë së bashku, sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronin detyrën favorizonin kompanitë e tyre për të përfituar nga tenderat publike. /ZËRI

Poll

MOS HUMB