Aktualitet

“Dosja 5D”/ Përplasje mes avokatëve të të pandehurve, Redi Molla kërkon 'gjykim të shkurtuar', Tusha e "kundërshton"

Avokati i Redi Mollës kërkoi që të mos nisë shqyrtimi gjyqësor, nëse togat e zeza nuk japin më parë vendim për gjykim të shkurtuar, vendim që nëse Molla shpallet fajtor, i ul 1/3 e dënimit. 

k.m.
“Dosja 5D”/ Përplasje mes avokatëve të të
Mariglen Qato, Taulant Tusha dhe Redi Molla

TIRANË- Tensione dhe përplasje në seancën që u zhvillua në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen "5D". E gjitha ka nisur pasi avokati i të pandehurit, Redi Molla, Denion Bogdani, ka depozituar një kërkesë për gjykim të shkurtuar për klientin e tij. Ai kërkoi që të mos nisë shqyrtimi gjyqësor, nëse togat e zeza nuk japin më parë vendim për gjykim të shkurtuar, vendim që nëse Molla shpallet fajtor, i ul 1/3 e dënimit. 

Të njëjtën kërkesë kanë bërë edhe të pandehurit e tjerë, përmes avokatëve Ermir Beta dhe Ardian Leka. Edhe ata kërkuan shtyrjen e seancës me të njëjtin motivacion. Por ishte avokatja e Taulant Tushës, Evi Sheri, ajo që në kundërshtim me kolegët e saj, kërkoi që seancë të vazhdonte si normalisht dhe të mos kishte ndarje të dosjes në fraksione për të pandehurit. Kjo fjali shkaktoi përplasje dhe debat mes palëve.

Në të njëjtën linjë duket se ishte edhe prokurori i çështjes, Klodian Braho.

“Kjo kërkesë nuk ka pse të shërbejë si arsye për t’u shtyrë,”-tha ai në sallë.

Duke marrë parasysh pretendimet e palëve, trupa gjykuese vendosi që dosja “5D” do të jetë me gjykim të zakonshëm për të gjithë të akuzuarit. Kërkesën e katër të akuzuarve për t’u ndarë më vete për shkak të veprave penale, trupa e gjykimit e rrëzoi, duke sjellë përfundimin se të gjithë do të gjykohen së bashku. 

Ky është fraksioni i parë i dosjes “5D” ku janë të pandehur ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.  Qato dhe Molla po gjykohen për veprat penale të korrupsionit pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Të akuzuarit e tjerë Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia gjykohen për shkelje të barazisë në tenderë.

Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC.

SPAK përfundoi hetimet paraprake më 8 janar të këtij viti për fraksionin e dytë të dosjes ‘5D’, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.

SPAK pretendon se ka provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zere ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronar faktik të kompanisë “5D”./ZËRI

Poll

MOS HUMB