
GJERMANI- Shuhet Artan Lame! Ish-kreu i Kadastrës ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare në Mynih të Gjermanisë, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë në zemër...të cilës nuk i mbijetoi dot! Ish-zyrtari i lartë ndërroi jetë pasi doli nga gjendja e komës. Lajmi është konfirmuar nga miq dhe të afërm të Lames. Por ende nuk dihen detaje të tjera, lidhur me sëmundjen e rëndë që i mori jetën në moshën 58-vjeçare.
Në vitin 2023, pasi u largua nga posti si drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lame u shpreh se largimin e konsideronte si "dhuratë"’ për ditëlindje, ndërsa theksonte se duhej të kujdesej për shëndetin.
“Unë nesër kam ditëlindjen dhe pas 3-4 ditësh duhet të bëjë vizitat e asaj ngjarjes së shëndetit që pata para pak vitesh. E konsideroj këtë tërheqje edhe si dhuratë ditëlindje se vërtet duhet të kujdesem edhe pak për shëndetin,”-shprehej Lame.
Për ndarjen nga jeta të Lames, pati një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama, një nga miqtë e tij më të ngushtë, i cili i shprehu ngushëllimet familjes për humbjen e të afërmit të tyre.
"I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët,"-shkruan Rama në rrjetet e tij sociale, shoqëruar me një foto të të ndjerit.
Për të ndjerin, ndau disa fjalë zemre edhe gazetari e moderatori Blendi Fevziu.
“Artan Lame, një qytetar par exellence, një historian i apasionuar, një zyrtar model, një njeri plot energji dhe dëshirë për jetën iku sot nga kjo botë në moshën 58-vjeçare. Iku kaq i ri, tamam atëherë kur ishte duke notuar në pasionin e tij kryesor, ngritjen e një muzeu për medaljet dhe flamujt, pjesë e koleksionit të tij të rrallë e mahnitës. Kam kaq shumë për të thënë për të, por në këtë moment të parë shokues, mund të them vetëm kaq. U prehsh në paqe Artan. Familja humbi njeriu e dashur, ne mikun, por Shqipëria humbi një nga dashnorët e fundit të historisë dhe shkëlqimit të saj,”- shkruan gazetari në rrjetet e tij sociale.
Artan Lame, lindi në Tiranë, në vitin 1967, por ishte me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës. Gjatë jetës ai ka qenë publicist, opinionist por edhe një nga koleksionistët më të shquar në vend. Si një studiues i historisë shqiptare, veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimise kulturore shqiptare, ai kishte një koleksion të veçantë, kryesisht me xhaketa të përdorura nga ushtritë e huaja dhe jo vetëm.
Përtej pasioneve, ku vendin më të madh e zinte historia, Lame ishte gjithashtu një veprimtar politik i Partisë Socialiste dhe funksionar shtetëror. Ndër vite ai ka mbajtur postet: 1999-2000: Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës; 2000-2002: Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës; 2002-2005: Zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit dhe 2013-2019: Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale). Ndërsa nga 2019, ai mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm i ASHK (Agjensia Shtetërore e Kadastrës). Këtë post e la në vitin 2023./ZËRI