TIRANË-Pas mbylljes së hetimeve ndaj Arben Ahmetaj dhe dorëzimit të dosjes në gjykatë, shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Erjon Çela si gjyqtar i seancës paraprake. Mbi Ahmetajn rëndojnë tre akuza “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mos deklarim pasurie”.
Përveç Ahmetaj, SPAK ka dërguar në gjykatë dosjen edhe për 10 persona të tjerë, mes tyre bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortja e tij Albina Mançka, si dhe shtetasit Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj. Të dyja si Hoxha dhe Mançka akuzohen për veprat penale “fshehje dhe mosdeklarim pasurie” si dhe “pastrim parash”.
Ahmetaj akuzohet se ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri pagesa për investimet e kryera nga ai dhe ish-bashkëshortja për shndërrimin e apartamentit të tyre në AirBnb. Pagesat janë kryer nga shoqëria “Integrated Techonogy Services” sh.p.k., në shumën prej më shumë se dy milionë e shtatë mijë lekësh. Në dosjen e SPAK ish-zv.kryeministri akuzohet se ka përfituar nga biznesmenët Zoto e Mërtiri shumën prej njëqind e shtatëdhjetë mijë lekësh nëpërmjet një shitje fiktive, të kryer përmes të pandehurve Andi Boni dhe Helidon Begaj.
Ish-zv.kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI