Aktualitet

Dosja Partizani- Arben Kraja kundërshton mbrojtësit e Berishës dhe Malltezit, GJKKO merr 2 javë kohë për vendimin

Deri më tani kreu i PD, Sali Berisha nuk ka qenë i pranishëm në asnjë seancë, ndërsa është përfaqësuar nga avokatët mbrojtës

E.K
Dosja Partizani- Arben Kraja kundërshton mbrojtësit e Berishës
arben kraja dhe berisha

TIRANË- Është mbajtur në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës për dosjen “Partizani”, ku prokurori i çështjes Arben Kraja është përplasur me avokatët mbrojtës të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit.

Kraja, i cilësoi si të pabazuara në ligj e në prova pretendimet e të pandehurit Sali Berisha për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve të dosjes. Sipas Krajës, çdo veprim i SPAK ka qenë në zbatim të ligjit dhe kompetencës së SPAK.

"Nuk janë evidentuar elementë të korrupsionit nga zyrtarë të tjerë. Pretendimet për pavlefshmëri të akteve janë të pambështetur në ligj dhe në prova. Regjistrimi i procedimit penal mund të bëhet në ditën e kallëzimit, ose deri në një afat 15 ditor, por kjo nuk do të thotë se duhet të presësh të mbarojë afati 15 ditor.

Mbi pretendimet për gjendjen e gjyqtares (Irena Gjoka) në kushtet e pazgjedhshmërisë vlerësojmë se janë të pambështetur në ligj dhe prova. Gjyqtarja është e zgjedhur nga organet përkatëse dhe ushtron detyrën në zbatim të ligjit.

Mbi pretendimet për papërdorshmëri të disa akteve të ekspertimit, ekspertet janë punonjës të institucioneve shtetërore dhe nuk ka asnjë ndalesë ligjore, që të pengojë marrjen e tyre, vetëm për shkak se nuk janë në një listë të caktuar.

Ekspertët nuk kanë asnjë interes në këtë procedim. Nuk ka pasur konflikt interesi mes tyre dhe të pandehurve, apo avokatëve të tyre", u shpreh Kraja.

Gjykata e Posaçme mori dy javë kohë për t'u shprehur mbi pretendimet paraprake të palëve, duke e shtyrë seancën për më 27 tetor. Vetë Berisha nuk ka qenë i pranishëm edhe në këtë seancë, duke u përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës Genc Gjokutaj.

Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI

Poll

MOS HUMB