TIRANË- Hasan Ndërjaku, i akuzuar dhe i dyshuar për organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në operacionin “Ura” është lënë në masën 'arrest me burg' nga GJKKO. Ndërjaku u ekstradua nga Itali më 24 shtator, ku në shtetin qinj kishte qëndruar nën masën 'arrest shtëpie'.
Gjatë seancës avokati i Ndërjakut, Rigert Koni, kërkoi që vendimi italian të administrohej dhe të merrej në konsideratë nga gjykata, veçanërisht për pjesën ku autoritetet italiane nuk kanë pranuar kërkesën për ekstradim për akuzën e “grupit të strukturuar”, duke e lejuar atë vetëm për veprën penale të shitjes së narkotikëve. Megjithatë, Gjykata e Posaçme vendosi vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” për Ndërjakun.
Në dosjen 'Ura', siguruar nga ZËRI, në kuadër të bisedave në Sky Ecc, u ngritën dyshime të arsyeshme se Hasan Nderjaku ishte aktivisht i përfshirë në trafikun e drogës, duke pasur rol drejtues në shpërndarje, komunikim me klientë dhe ndarjen e ngarkesave.
“Malli që pruni ai pi**i grus atë ditë, nuk ma pëlqyen… kishte një gjë aty,”- i shkruante Hasani furnizuesit të identifikuar në dosje si “Pepe”.
“Ma nis njëherë me foto atë të bardhën…me 36.5 e kemi marrë shok”
“Jo mo shok, s’bëhet fjalë…është e pahapur, pak para se ta japim ta hapim, të nis foto,”- përgjigjet furnizuesi.
Bisedat ndërmjet Hasan Nderjakut dhe vëllait të tij, Ekil Nderjkaut tregojnë përpjekjet për negociata si dhe shfaqja e pakënaqësisë për cilësinë e lëndës narkotike. Në analizë të bisedave krijohet dyshime e cila përforcon qëllimin për përfshirjen aktive të Hasan Nderjakut në aktivitetin e paligjshëm.
Në maj të vitit 2025 u zhvillua operacioni "Ura", i cili goditi një rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës Shqipëri-Itali. Operacioni kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Hetimet nisën në 2016-ën dhe u intensifikuan në 2020-ën, ku zbuluan se rrjetet kriminale trafikonin drogë në Itali dhe vende të tjera të Evropës. Rrjeti kishte në krye Elvis Doçin, i njohur si ‘Visi i Pojës’, i cili bashkëpunonte me 2 grupe kriminale të drejtuara nga Adi Çoba dhe Erigels Presi.
Paratë e trafikut depërtonin në ekonomi, përmes kompanive, pronave të paluajtshme, mediave lokale, transportit dhe bareve. Pjesë e organizatës ishin 3 nëngrupe kriminale, baza e njërit në Durrës dhe 2 të tjerët në Itali, në Puglia. Elvis Doçi është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Ura”. Ai njihet ndryshe si “Visi i Pojës”, pasi është nipi i Xhevdet Troplinit, të njohurit si Poja./ZËRI

