TIRANË-Është zbuluar imazhi i Shpëtim Aliut i cili u arrestua më 23 shtatir në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Aliu u shpall në kërkim nga SPAK pas aksionit të 16 qershorit, ku u godit grupi i strukturuar kriminal i dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe pastrim parash. Aliu akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në komunikimet e Sky ECC ai shfaqet me disa nofka: “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”. Aliu, sipas dosjes hetimore të siguruar nga ZËRI dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Salvadore Aliu, dyshohet se ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Ai dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke u ndihmuar nga vëllai i tij Isa Aliu.
Në dosjen e SPAK siguruar nga ZËRI janë evidentuar 5 episode kryesore të trafikut të dorgës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Referuar komunikimeve mes tyre në aplikacionin Sky Ecc, Salvatore Aliu, ka patur rolin e siguruesit dhe organizuesit të nisjes së ngarkesave me kokainë për llogari të Eldi Dizdarit, ndërsa ky i fundit porositës dhe financues i ngarkesave me kokainë.
Ndërkohë në një nga bisedat e zbardhura në aplikacionin Sky Ecc mes Aliut dhe Dritan Gjikës, dyshohet se për të kaluar tonelatat me kokainë portet e Ekuadorit, dyshja kishin korruptuar zyrtarët lokalë.
Dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale. Gjatë viteve 2019-2021, grupi ku bën pjesë edhe Isa Aliu ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë./ZËRI

