Aktualitet

Dosja 'Veliaj', biznesmeni Gentian Sula paraqitet në SPAK

F.I
Dosja 'Veliaj', biznesmeni Gentian Sula paraqitet në SPAK
Gentian Sula

TIRANË-Biznesmeni Gentian Sula është paraqitur në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Sula është në mesin e biznesmenëve që janë nën hetim në dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pasi dyshohen si përfitues të tenderave nga Bashkia e Tiranës.

“Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë subjektet tregtare që shtetasit nën hetim GENTIAN SULA., FATMIR BEKTASHI. SOKOL KRYEZIU, SHKELQIM FUSHA dhe MERIMAN PALUSHI përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi”, thotë SPAK.

Në dosjen e SPAK, të publikuar në media, përshkruhet një lidhje e fortë mes Veliajt dhe biznesmenit Gentian Sula, pronar i kompanisë ndërtimore “AGI KONS”. Sipas kallëzimit të një shtetasi të identifikuar si Nesti Angoni, kur Veliaj u emërua Ministër i Punës, ai bleu një vilë në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit” nga kompania e Sulës. Pas kësaj blerjeje, bashkëshortja e Sulës u emërua zëvendësministre në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku Veliaj ishte titullar në atë kohë. Marrëdhënia mes Veliajt dhe Sulës vijoi të forcohej, me kompaninë “AGI KONS” që përfitoi një numër të madh kontratash publike në Tiranë, duke ndërtuar: 

• Shkollën tek ish-Sheshi Shqiponja,
• Parkun Rinia,
• Godinën e Operas dhe Baletit,
• Maternitetin dhe Spitalin e Ri,
• Godina në Universitetin Bujqësor,
• Si dhe duke përgatitur projekte për Teatrin Kombëtar.

Veliaj u vendos në pranga më 10 shkurt, aktualisht ndodhet në paraburgimin e burgut të Durrësit. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB