
TIRANË-Avokati i Safet Bajrit, Sokol Tahiraj ka reaguar në lidhje me aksionin e RENEA-s të ndodhur një ditë më parë (18 shkurt), ku u zhvilluan edhe kontrolle në banesën e Bajrit, por ai nuk u gjet. Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin 'Open' lexoi mesazhin e avokatit, që sipas tij nuk ka asnjë provë që e lidh atë me grupet kriminale. Avokati ka deklaruar se në banesën e tij kanë shkuar disa herë dhe ai ka shprehur gatishmërinë për t’u përballur me hetimin.
“Në lidhje me Safet Bajrin nuk ka asnjë provë që e lidh me asnjë grup kriminal. Disa herë i kanë vajtur në shtëpi dhe ka qenë i hapur me hetimin dhe është i gatshëm të përballet me këtë hetim. Sesi lidhen tre ngjarjet kriminale është çështje e prokurorisë”, ka thënë avokati.
Operacioni është zhvilluar në lidhje me masakrën e Dobraçit ku u ekzekutuan Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha dhe në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rranxë të Bushatit më 23 Gusht 2024, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin dyshohet se udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica.
Këta dy të fundit janë me masë sigurie të kërkuar nga SPAK dhe me miratim të GJKKO-së, për këtë ngjarje, masë e cila është komunikuar këtë të martë në burgun e Reçit, ku mbahen që pas vetëdorëzimit për përplasjen dhe kanosjen me armë të një anëtari të familjes Bruçi. Edhe pse ka kaluar një ditë nga nisja e kontrolleve, ende nuk ka asnjë komunikatë zyrtare nga ana e Policisë së Shtetit./ZËRI