
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka ngritur një shqetësim përballë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në raportimin e tij, Dumani u shpreh se ajo që ka vënë re është se shqyrtimi i çështjeve në seancat paraprake zgjat shumë më tepër nga çfarë është parashikuar. Dumani tha se Kodi i procedurës penale parashikon që brenda 1 muaji të konkludojë me një vendimmarrje, ama praktika tregon që gjykimet zgjasin 6 muaj, 4 muaj, 9 muaj apo edhe 12 muaj.
Pjesë nga fjala e Dumanit:
Një shqetësim që dua ta ngre edhe pse nuk është në raport, po dal pak jashtë tij, është shqyrtimi para gjyqtarit para seancës paraprake, merr shumë punë. Kodi i procedurës penale parashikon që brenda 1 muaji të konkludojë me një vendimmarrje, ama praktika për Prokurorinë e Posaçme na tregon që gjykimet zgjasin 6 muaj, 4 muaj, 9 muaj apo edhe 12 muaj. Po flas gjykim para seancës paraprake. Kjo zgjatje sjell edhe problematika, pasi vë në rrezik përfundimin e afateve të paraburgimit, para daljes në seancë paraprake. E njëjta gjë vlen edhe për gjykimin e shkurtuar, procedura zgjat, madje më shumë nga sa zgjaste në vitin 2017.