
TIRANË- Dubai nuk është më streha e sigurtë për të shumëkërkuarit shqiptarë! Sot, pasdite në aeroportin e Tiranës, ka zbritur Florenc Çapja, i shpallur në kërkim prej kohësh nga shteti shqiptar. Siç duket nga pamjet e mëposhtme, ai është shoqëruar në aeroportin e Rinasit nën masa të rrepta sigurie. Në kuadër të operacionit "The Wanted", është siguruar ekstradimi i tij, pasi 44-vjeçari Çapja ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet si porositës për vrasjen e atë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012. Lidhur me këtë ngjarje është vënë në pranga xhaxhai i tij Ardian Çapja. Por po ashtu ishte shpallur në kërkim edhe pas deklarimeve të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili pretendon se Çapja i ka ofruar shumën prej 200 mijë Eurosh për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës.
Për akuzat e fundit, pritet që edhe Çapja t'i bashkohet gjyqit të dosjes "Plumbi i artë" që është kthyer në një "serial" në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit
Ekstradohet nga Dubai, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore. 44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan. 44-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar F. Ç., dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë. Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar, për vijimin e operacioneve policore me objektiv lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Deri më tani, shqiptari i vetëm që është ekstraduar nga Dubai, me dëshirën e tij, është Bruno Çobo. Dhe dukej se do të ishte i vetmi! Për shumë kohë Dubai ishte kthyer në një strehë të paprekshme për të shumëkërkuarit nga Shqipëria dhe jo vetëm.
Por ekstradimi i papritur i Plaurent Dervishajt dhe mikut të tij, Julian Meçe shënoi pikën e kthesës. Me ekstradimin e tyre në Shqipëri, "kështjella" e Dubait ra. Çapja është emri i dytë që ekstradohet në vendin tonë për të dalë para drejtësisë. Ndërkohë që prej kohësh, autoritetet shqiptare po punojnë për të sjellë në vendin tonë edhe Durim Bamin.
Florenc Çapja dhe Ardian Çapja akuzohen si drejtuesit e kësaj organizate kriminale me bazë në qytetin e Elbsanit. Çapja ishte prej kohësh në Dubai, ndërsa xhaxhai i tij, Adrian Çapja është në qeli. Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka lënë në fuqi më 15 nëntor 2023 vendimin e shkallës së parë duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, nën akuzën e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 gusht të vitit 2012. Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli u dënuan me nga nga 25 vite burg. Ndërkohë që bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg. Po ashtu, në janar të këtij viti, GJKKO konfiskoi pasuritë e sekuestruara në kuadër të një hetimi të nisur kundër Florenc Çapjas. Pasuritë përfshinin toka, ndërtesa dhe automjete në qytetet Pogradec dhe Elbasan./ZËRI