TIRANË-Durim Bami, i cili u ekstradua mbrëmjen e djeshme nga Dubai në Shqipëri, ka kërkuar të transferohet në burgun e Fushë Krujës. Bami u vendos pas ekstradimit në burgun '313' në Tiranë, por sipas tij nuk mund të qëndrojë aty, pasi ndodhen edhe kundërshtarët e tij. Bami pretendon se ka konflikte me të burgosur, që vuajnë dënimin në burgun e kryeqytetit.
Në kërkesën e avokatit mbrojtës të 'të fortit të Niklës", thuhet se Durim Bami ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësire dhe është në stres të vazhdueshëm, pasi në burgun ku ai mbahet aktualisht ndodhen persona, të cilët në të kaluarën kanë siguruar kushte për vrasjen e tij.
“Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka filluar dhe po gjykohet çështja penale në ngarkim të grupeve të strukturuara kriminale siç janë grupi “Martinaj”, “Avdylaj”, “Bajraj” etj., ku të pandehur janë rreth 16 persona, të cilët së bashku sipas SPAK kërkonin eliminimin fizik të Bamit. Në burgun ku ai mbahet aktualisht ndodhen persona, të cilët në të kaluarën kanë siguruar kushte për vrasjen e tij, fakt i njohur botërisht edhe nga media dhe dokumentuar në procedimet penale përkatëse. Në takimin me të arrestuarin Durim Bami sot më datë 27.02.2026 në IEVP Rr. “J. Misja” Tiranë rezulton se është në gjendje jo të mirë shëndetësore, po mbahet në kushte jo të mira, dhe është në stres të vazhdueshëm për shkak të pranisë në këtë Institucion të disa të arrestuarve me akuzën e vrasjes mbetur në tentative në grup të strukturuar kriminal ndaj tij,"-shprehet avokati i Bamit.
Kujtojmë se Bami nga Dubai kërkoi rrëzimin e ekstradimit në Shqipëri me pretendimin se në këtë vend i rrezikohet seriozisht jeta, pasi është përndjekur në mënyrë sistematike nga 18 persona, që ai i quan anëtarë të grupeve kriminale, të cilët duan ta vrasin. Ndër emrat që ai listoi ishin ish-deputeti Arben Ndoka, Behar Bajri, Emiljano Shullazi, Ervis Martinaj, Astrit e Aldo Avdylaj dhe emra të tjerë të njohur në botën e krimit.
Bami u arrestua në Dubai dy vite më parë, më 12 qershor të vitit 2024, teksa ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revanshi. Akuzat zyrtare kundër tij janë ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”, të Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. /ZËRI