SARANDË-Kompania e sigurisë “Elite Security”, teksa të dielën e 16 gushtit e mbylli me një sherr të dhunshëm në ambjentet e Orange Club, sot është përmendur edhe në vrasjen në 'Principotes'. Në të dyja rastet në një hark kohor prej 3 ditësh, punonjësit e sigurisë së “Elite Security” shkaktuan trazira në mes të pushesve të cilët, një herë panë grushta e dhunë mes bodyguardëve dhe efektivëve dhe sot një trup të pajetë në shezlong.
Dy të arrestuarit lidhur me vrasjen e Luis Miguel Varela Mendes, autori Sokrat Vata dhe efektivi i policisë Moisid Matushaj, i cili e ndihmoi 29-vjeçarin të largohej nga vendi i ngjarjes, punonin si bodyguard në të njëjtin grup të kompanisë "Elite Security", në lokalin “Principote”. Truprojat e kësaj kompanie mbrëmjen e 16 gushtit ishin vendosur në dyert e 'Orange Club' në Sarandë ku dhunuan shefin e krimeve Mateo Bakalli teksa ky i fundit përpiqej të shuante një konflikt të ndodhur.
Për t'u ardhur në ndihmë efektivëve të gjendur në sherr kanë ndërhyrë edhe forcat "Shqiponja", ndërsa më pas është bërë i mundur edhe shoqërimi i disa personave, ku raportohet se janë ndaluar të paktën 4 badigardë.
Kompani e sigurisë “Elite Security”, është në pronësi të Marjo Katirait themeluar në vitin 2024. Me rreth dy vite në treg nuk dihet çfarë kriteresh ka “Elite Security” për të punësuar truproja, por me rastet e fundit, Moisid Matushaj rezulton të jetë edhe punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë specialist i hetimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, ndërsa Sokrat Vata një 29-vjeçar me precedentë penale në Angli, sot autor i vrasjes.

Truprojat e kompanive private të sigurisë kanë si rol kryesor mbrojtjen e personave, pronës dhe ambienteve nga rreziqe të mundshme, por “Elite Security” duket se ka dështuar në misionin e saj.