KSAMIL-Policia ka dhënë informacion shtesë për ngjarjen e rëndë të mëngjesit të sotëm në Ksamil, ku një turist i huaj, u vra nga truproja e 'Principotes', Sokrat Vata. Blutë njoftojnë se fillimisht, bazuar në të dhënat paraprake, viktima ishte identifikuar si shtetas francez me inicialet M. M. por pas vijimit të hetimeve dhe gjetjes së dokumentit të identifikimit, autoritetet kanë konfirmuar se viktima është shtetas portugez, Luis Miguel Varela Mendes, i lindur më 27 shtator 2005.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, sqarojmë se:
Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje.