KSAMIL-Detaje të reja janë zbardhur nga aktiviteti i 'Principotes' në Ksamil, një nga plazhet luksoze të jugut ku ndodhi vrasja e vrasja e portugezit, Luis Miguel Varela Mendes. Turisti portuges u vra me thikë nga truproja i 'Principotes', Sokrat Vata, i cili u arrestua 5 orë më vonë nga konstatimi i trupit të pajetë të turistit.
Lidhur me vrasjen në kërkim është shpallur edhe Bekim Bulica, 36 vjeç, pronari i 'Principotes'. Nga hetimet rezulton se ai ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës, me qëllim shmangien e hetimit. Por sipas dokumenteve vetë Bulica nuk e ka regjistruar në emër të tij 'Principotes'.
Pas beach barit ‘Principotes’ dyshohet se fshihet një grup kriminal, i skeduar për vepra të rënda penale nga Franca në Shqipëri, si tentativë vrasje, kanosje, armëmbajtje pa leje, trafik droge, pastrim parash etj. Lokali luksoz, i ndodhur përballë “Tre Ishujve” në Ksamil, është regjistruar në emër të një zonje 70 vjeçe, Kade Bulica nga Hasi, përmes një kompanie të krijuar në janar 2022, me kapital fillestar vetëm 100 lekë.

Ka dyshime të forta se kompania është përdorur si kamuflim nga personazhe me rekorde krimianle për të investuar dhe pastruar paratë me burim aktivitete të paligjshme në vendet e BE-së, një prej tyre Bekim Bulica. Ky i fundit është pèrmendur nga mediat franceze si personi në krye të një rrjeti shqiptar, i cili drejtonte dy call center në Paris dhe periferi, të cilët shpërndanin kokainë me porosi.
Bulica u ekstradua nga Franca në Shqipëri në vitin 2021, i shpallur në kërkim pasi më datë 19.09.2019, në Kukës, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të F. C. Po ashtu ai u dyshua si pjesëmarrës në planin e arratisjes së Arbër Çekajt nga burgu 313 në Tiranë.
Në 2 shtator 2023, Bulica u shpall në kërkim për rrahjen e efektivit të policisë në Tiranë Ervin Fanaj dhe vëllait të tij. Policia vuri në pranga shtetasin Blerim Bulica, 29 vjeç, banues në Tiranë, si dhe shpalli në kërkim edhe shtetasit Besart Bulica, 35 vjeç, Shaban Bulica, 25 vjeç dhe Benard Aliaj, 34 vjeç.