TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, dhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela kanë munguar në seancën e sot të Kuvendit, edhe pse kishin një ftesë për të qenë të pranishëm. Dy karriget e rezervuara për ta qëndruan bosh në ambientet e llozhës së Kuvendit. Ndërkohë që të pranishëm ishin përfaqësues të trupit diplomatik, krerët e komuniteteve fetare si dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe.
Megjithatë, Prokuroria e Përgjthshme dhe SPAK kanë reaguar për mediat, duke zbuluar arsyet e vërteta të mungesës së tyre më seancën e parë plenare të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se Prokurori i Përgjithshëm ndodhet në Singapor, ku po merr pjesë në konferencën e 30-vjetorit dhe Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve (IAP). Nga ana tjetër, edhe SPAK ka bërë me dije se Altin Dumani nuk ishte sot pjesë e parlamentit për shkak të një axhende të paracaktuar kohë më parë'. “Mosparaqitja lidhet me agjendën e caktuar kohë më parë për takime dhe angazhime të tjera profesionale.”-thuhet në përgjigjen e dhënë.
Ky qëndrim i përfaqësuesve të organit të akuzës, vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së nuk i kurseu akuzat për organet e drejtësisë, që sipas tij janë ende të brishta. Rama akuzoi SPAK, për rastin Veliaj, se i kanë shkelur të drejtën e prezumimit të pafajësisë, si dhe e kanë vendosur në përgjim teksa komunikonte me familjarët nga telefoni i burgut. Po ashtu Rama tha se gjyqtarët janë kthyer në noterë të prokurorëve, duke mos kundërshtuar hetimet e tyre.
"Nuk jemi lëkundur në këtë rrugë, nuk do të lëkundemi as sot, pavarësisht fakteve që, përveç arritjeve të padiskutueshme, pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera herës shenja të sëmundjes së vjetër. Pushteti i ri i drejtësisë mban ende në radhët e veta, lart e poshtë, nëpër Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë, dritshkurtër, mendjengushtë e me mungesë integriteti, që e bëjnë të bardhën të zezë, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë. Rastet e fundit, kur disa prokurorë dhe gjyqtarë i kanë rënë ndesh ligjit duke mbajtur krahun e zbatuesve të tij.
E vërteta e madhe është se nuk përjashtim as SPAKU, krenaria e vetme e reformës në drejtësi, as Gjykata Speciale që nuk po del nga hija e SPAK-ut. Edhe këto institucione kanë na dhënë arsye dhe për t’u habitur dhe shqetësuar shumë seriozisht, mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave në liri, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve për të paracaktuar në pazare fatin e personave të hetuar”, u shpreh dje Rama. /ZËRI

