SARANDË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur këtë të premte një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zona përreth, në kuadër të hetimeve lidhur me fenomenin e ndërtimeve pa leje, kryesisht në jug të vendit.
Sipas informacioneve paraprake, hetimet lidhen me disa raste ku dyshohet se efektivë të policisë kanë qenë të përfshirë në ndërtime pa leje. Fokusi i hetimeve është pikërisht verifikimi i rolit dhe përgjegjësisë së efektivëve të policisë në lejimin apo mosparandalimin e këtyre ndërtimeve të paligjshme.
Burime bëjnë me dije se deri më tani janë arrestuar 2 policë, shefi i Komisariatit të Sarandës, shefi i Krimeve, një specialist krimesh dhe një SPZ. Ndërsa po sipas burimeve, priten edhe arrestime të tjera.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të zbuluar të gjithë rrethanat dhe për të garantuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë që në vijim pritet të dalë edhe një reagim zyrtar i AMP-së mbi operacionin dhe masat e marra./ZËRI