TIRANË- Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë ka shqetësuar autoritetet shëndetësore dhe ka ngritur dyshime mbi sigurinë e ushqimeve të ofruara brenda institucionit. Analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e baktereve të rrezikshme, duke përfshirë Escherichia coli dhe Stafilokok.
Sipas AKU-së, helmimi ndodhi pas konsumimit të makaronave të kontaminuara, por sipas burimeve, rezultatet e plota nuk kanë mbërritur ende në Prokurorinë e Tiranës.
Për këtë arsye, burime bëjnë me dije se Prokuroria ka thirrur të martën për të marrë në pyetje drejtorin e AKU-së Tiranë, Ersid Hasanllari, i cili duhet të sqarojë veprimet e ndërmarra nga AKU dhe nëse janë kryer kontrolle të mëparshme ndaj këtij subjekti për të gjurmuar ushqimin.
Po ashtu, për të njëjtin rast do të merren në pyetje ditën e mërkurë, edhe drejtoresha e ISHP-së, Dorina Toçi, dhe kreu i Kujdesit Shëndetësor të Njësisë Vendore Tiranë.
Sipas njoftimit të AKU-së, një ditë më parë, nga nëntë mostra të marra për analiza, tetë rezultuan brenda normave, ndërsa një kampion makarona të gatshme, i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, rezultoi pozitive me dy bakteret. Për këtë arsye, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit për subjektin “SORI-AL”.
Nga ana tjetër, pas njoftimit të AKU, ka reaguar edhe kompania Sori-Al SHPK, duke e quajtur vendim si të pabazuar në procedura sipas ligjit. Përmes një deklarate publike, kompania shprehet se ky vendim nuk i mbështetur mbi konkluzionin përfundimtar laboratorik,që të provojë ekzistencën e një episodi të helmimit ushqimor të konfirmuar.
Ngjarja e rëndë në Akademinë e Sigurisë u raportua më 7 maj, ku 56 studentë të këtij institucioni përfunduan në spital, pasi dyshohet se u helmuan nga ushqimi gjatë konsumimit të vaktit të drekës. Pas konsumimit të drekës, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje barku. Ata janë transportuar në spital ku kanë marrë mjekim dhe janë rikthyer sërish në akademi. Policia njoftoi se janë arrestuar kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja, Alma Tafani.
AKU ka bllokuar mbi 150 kg produkte ushqimore, si dhe vendosjen e një gjobe prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit. ZËRI ka siguruar menunë ushqimore që kanë konsumuar studentët, ku është konstatuar uthull e kontaminuar me krimba./ZËRI