SARANDË-Një person i pajetë është dërguar në urgjencën e spitalit të Sarandës rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme (27 mars). 48-vjeçari, i identifikuar si Pavllos Simeriontaqis nga Athina, u soll në spital nga disa persona me një makinë të bardhë, të cilët më pas u larguan menjëherë, por u lokalizuan disa orë më vonë.
Burime policore bëjnë me dije se shokët e tij kanë deklaruar se Simeriontakis ndodhej në Shqipëri së bashku me persona të tjerë, të cilët merren me tregtinë e sendeve të kuzhinës. Ditët e fundit, grupi kishte qenë në Fier për tregti, ndërsa dje ndodhej në Konispol, nga ku do të largoheshin për në Greqi përmes Qafë Botës.
Para se të largoheshin, 48-vjeçari nuk u ndje mirë duke humbur kështu edhe jetën. Sipas tyre viktima vuante prej vitesh nga diabeti, por ekspertiza do të vendosë shkakun përfundimtar të vdekjes. Lidhur me ngjarjen Policia ka nisur hetimet./ZËRI