Aktualitet

“E hoqa hard-disc”/ Përgjimet dhe DOSJA, si ndodhi masakra e Dobraçit, lidhjet me Arlind Bushatin

Gabriel K. kishte dalë jashtë vendit me Arlind Bushatin, një nga viktimat e masakrës.

k.m.
“E hoqa hard-disc”/ Përgjimet dhe DOSJA, si ndodhi masakra e
Hamza Lici dhe Arlind Bushati

SHKODËR- Masakra e Dobraçit ende nuk është zbardhur edhe pse u lajmërua se do të kishte shumë shpejt një aksion për kapjen e autorëve dhe të porositësve. Hetimet duket se vazhdojnë! Emisioni "Në shënjestër" ka zbardhur disa detaje të tjera nga dosja hetimore për ngjarjen që la të vdekur 4 persona, mes tyre 2 kalimtarë rastësorë në vendin ku ndodhi atentati.

TIMS

Nga verifikimet që janë bërë është zbuluar se mjeti i përdorur nga autorët e krimit, ishte një makinë tip "Land Rover" me targa "PG CU 597". Makina ishte vjedhur në prill të vitit 2024 në Durrës nga dy persona; Gabriel K. dhe Gjulio V. Pas verifikimeve që janë bërë në sistemin TIMS, të njëjtën ditë që ka vjedhur makinën në Durrës, Gabriel K. kishte dalë jashtë vendit me Arlind Bushatin, një nga viktimat e masakrës.

"Më datë 18 Prill 2024 ky shtetas ka dalë nga vendi në pikën kufitare të Muriqanit në orën 08:40 dhe është kthyer po atë ditë në orën 19:35. Gjë që e ka bërë në të njëjtën orë dhe me të njëjtin automjet ku së bashku me të është edhe Arlind Bushati, i cili mbeti viktimë në ngjarjen kriminale të ndodhur në fshatin Dobraç, më 30 Tetor 2024,"-shkruhet në dosje.

Se përse kanë qenë bashkë, kjo ende nuk dihet! Po ashtu është e paqartë sesi ka përfunduar në duart e ekzekutorëve makina e vjedhur nga "miku" i Bushatit.

PËRGJIMET

Edhe pse tashmë është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës, Izmir Sakia dhe Samuel Troshani janë të dyshuar si autorë të mundshëm të vrasjes së Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Ndaj dhe Policia me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ushtruan kontrolle në banesën e Sakicës, por edhe të miqve të tij: Arlind Kajoshi, Samuel Troshani, Franko Leka, Ilir dhe Enver Bajri, Enis Bushati, Samet Halluni, si edhe në atë të Mustafa Lika (Sanxhak Laç),  të gjithë emra të njohur për blutë e Shkodrës. Por asnjë prej tyre nuk u gjet në banesë. 

Pse dyshohet Sakica?

Vetëm pak momente pasi në Dobraç kishte ndodhur vrasja, Sakica ka marrë në telefon një person të paidentifikuar duke i thënë: E hoqa Hard Diskun!

Astmer Bilali dhe makina e autorëve

Një tjetër detaj që nuk i ka shpëtuar hetuesëve të ngjarjes është fakti se para se të ndodhte ngjarja, mjeti ‘Land Rover’ ka dlë nga rruga që të çon tek banesa e Astmer Bilalit. Mund të jetë rastësi, por ky detaj i ka përfshirë emrin në këtë ngjarje. Madje jo vetëm kaq! Hetuesit kanë marrë parasysh edhe lëvizjet që Bilali ka bërë nga burgu i Reçit. Libri i vizitorëve ka "zbuluar" se ai është vizituar shpesh nga nipi i tij, L. Bilali, lëvizje që nuk kanë qenë të zakonta për të. Numri i takimeve është zbardhur, por jo bisedat mes tyre. 

Forcat speciale të burgjeve kanë ushtruar kontroll në qelinë e tij, ku kanë gjetur dhe sekuestruan disa sende të paligjshme, midis tyre dhe një celular, mjet që është marrë dhe po kontrollohet për të mësuar nëse ka detaje rreth autorëve të masakrës.

Telefonata e fundit

Por nuk është vetëm Sakica, ai që ka folur në telefon. Edhe Arlind Bushati ka folur me dikë para se të ndodhte atentati që do t'i merrte jetën. Personi është identifikuar me inicialet A.S. Ky i fundit ka shkuar vetë në Drejtorinë e Policisë Shkodër për të treguar se me viktimën e kishte lënë që të takohej, por nuk mundi dot për shkak se u ekzekutua. 

"Por deri në këtë pikë, për hetuesit gjithçka do të ishte normale, nëse nuk do të zbuloheshin disa mesazhe të fshira në celularin e tij. Disa prej këtyre komunikimeve të fshira vetëm minuta para ngjarjes,"-bëhet me dije nga "Në Shënjestër".

Aktualisht, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë 'në duar' për të hetuar masakrën e Dobraçit pasi Prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal. Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë.

Pikërisht ky person, dyshohet se është Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit, i cili mendohet se ka qenë edhe shënjestra e atentatit. Por prezenca e personit të tretë në atentat ka ngjallur debate të tjera. Si pasojë, 4 punonjës të Policisë së Shtetit fillimisht u vendosën në pranga dhe më pas u lanë në detyrim paraqitje për shkak se akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën. Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marte Martiki, ishin efektivët e parë që shkuan në vendin e ngjarjes por nuk e ndaluan personin e tretë që ndodhej në skenën e krimit duke i dhënë ndihmën e parë Hamza Licit, i cili kishte ndërruar jetë nga të shtënat me armë zjarri./ZËRI

Poll

MOS HUMB