
GJIROKASTËR-Një tjetër person është arrestuar, pasi ka fotografuar fletën e votimit. Këtë herë bëhet fjalë për një votues 30-vjeçar në Këlcyrë, i cili u kap në flagrancë për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votimit".
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Gjirokastër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 30 vjeç, banues në Këlcyrë, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votimit". Ky shtetas rreth orës 15:00, në qendrën e votimit nr 4165/01, në Këlcyrë, gjatë procesit të votimit, dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
3.7 milionë shtetas shqiptarë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e tyre në Parlament. Votimi ka nisur në 07:00 në të gjithë vendin dhe mbyllet në 19:00. Në mbarë vendin janë ngritur 5,225 qendra votimi. Në fletën e votimit, shqiptarët do të gjejnë kësaj radhe 11 subjekte politike, ku 3 janë koalicione, dhe 9 janë parti që garojnë të vetme./ZËRI