
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të revokojë akreditimit e vëzhguesve në zgjedhje të të gjitha partive, përsa u përket qendrave të votimit në Vorë. Vendimi është marrë nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, pas incidentit të ndodhur në Vorë ku demokrati Flamur Noka u përplas me familjen Xhabafti.
Sipas vendimit të marrë, në Vorë nuk do të ketë asnjë vëzhgues, por vetëm media dhe ndërkombëtarë.

Çfarë ndodhi sot në Vorë?
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka është përplasur me disa prej anëtarëve të familjes Xhabafti në momentin që është paraqitur për të votuar. Një prej tyre është identifikuar si Berti Xhabafti. Noka ka pretenduar se Xhabafti bashkë me shoferin dhe shoqëruesin e tij, "punojnë" për ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe se kanë ushtruar presion kundrejt qytetarëve për vota.