BRITANI E MADHE- Irfan Azizi, i njohur në botën e krimit në Berat me nofkën “Fania” po tenton të bllokojë ekstradimin nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, me pretendimin se jeta e tij është në rrezik nga një atentat i dytë i mundshëm i organizuar nga Talo Çela.
Sipas mediave britanike, Azizi u paraqit në gjykatë, ku kundërshtoi ekstradimin, duke deklaruar se nëse kthehet në Shqipëri do të vritet. Irfan Azizi tha në një seancë dëgjimore për ekstradim se i shpëtoi jetës për pak kur u qëllua me “30 të shtëna” gjatë një atentati në 2020, gjë që e shtyu të ikte në Britani.
“Një plumb më shkatërroi dorën në 13 vende”, deklaroi ai para gjykatës britanike.
36-vjeçari tha se grupi kriminal që u përpoq ta vriste atë ‘kryen gjithashtu vrasje për gjyqtarë dhe politikanë’ dhe do të kërkonte hakmarrje nëse ai do të kthehej në Shqipëri.
Gjatë seancës, ai bëri edhe deklarata të forta, duke pranuar se kishte paguar për të mbyllur çështje gjyqësore në Shqipëri dhe sugjeroi se kjo do të thoshte se ai nuk ishte më një njeri i kërkuar, ndërsa këmbënguli se nuk dëshiron të kthehet për shkak të rrezikut për jetën e tij dhe familjes.
Megjithatë, nga ana tjetër, prokuroria britanike vuri në dyshim pretendimet e tij, duke theksuar se gjatë pesë viteve në Angli nuk ka pasur asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjes.
Autoritetet shqiptare e kërkojnë për të vuajtur një dënim me një vit burg, ndërsa ai është dënuar edhe në Britani për përdorim dokumentesh të falsifikuara.
Azizi ka një të kaluar të gjatë kriminale në Shqipëri, duke përfshirë përfshirjen në aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit.
Në shkurt të vitit 2019, ai u dënua me dy vjet burgim për vjedhje përpara se të merrte një dënim shtesë me burg prej dy vjetësh e tre muajsh në qershor për vjedhjen e një Mercedes-Benz B-Class.
Por vetëm pesë muaj më vonë ai ishte i lirë dhe përsëri në rrugë.
Atentati ndaj tij ndodhi më 29 nëntor 2020. Ai përshkroi se pa një automjet që ndaloi jashtë një stacioni benzine përpara se një person i armatosur të hidhej jashtë duke mbajtur një kallashnikov.
Organizatori i atentatit është raportuar gjerësisht në mediat shqiptare si Talo Çela, një ish-mik i ngushtë i Azizit, i cili aktualisht është një nga kriminelët më të kërkuar në Shqipëri.
Azizi, djali i një fermeri, tha se iku nga Shqipëria me autobus pesë javë pas të shtënave, duke mbërritur në Britani disa ditë më vonë. Ai qëndroi me miqtë dhe një kushëri, përpara se të transferohej në shtator 2021 nëSheffield, ku iu bashkua edhe gruaja e tij.
Azizi pretendonte se kishte qenë një “biznesmen i pasur” në Shqipëri me tre pika karburanti, si dhe lavazhe makinash dhe një bar-kafe. Por pasi gruaja e tij iu bashkua në Mbretërinë e Bashkuar, çifti kërkoi azil me arsyetimin se kishin frikë nga persekutimi në vendin e tyre të origjinës dhe u sistemuan në një hotel azili të financuar nga taksapaguesit në ëiltshire.
Seanca për ekstradimin vijon, ndërsa vendimi pritet të përcaktojë nëse “Fania” do të rikthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë apo do të mbetet në Britani nën statusin e azilkërkuesit.