
LUSHNJË-Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur ditën e enjte (20 mars) në Lushnjë, ku një 44-vjeçar është dhunuar nga dy persona të tjerë. Konkretisht Fabjol Hysi, i cili as nuk dëgjon dhe as nuk flet, është sulmuar brutalisht nga dy të rinjtë, Enea Korreshi, 17 vjeç dhe Irdi Nasufi, 20 vjeç.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasit I. N., 20 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dy banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me gurë, një 43-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve”, thuhej në njoftimin e bluve ditën e ngjarjes.
Dy të rinjtë fillimisht e kanë trembur 44-vjeçarin, teksa ky i fundit është detyruar që të ndryshojë rrugën për t’i shmangur. Korreshi dhe Nasufi e kanë ndjekur dhe kanë filluar ta godasin me grushta Fabjol Hysin. Situata ka përshkallëzuar ku raportohet se në vijim ka qenë 20-vjeçari ai i cili e ka goditur me një gur në kokë 44-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Si pasojë e dhunës, 44-vjeçari ka pësuar fraktura në kafkë dhe hemorragji në tru, ndërsa aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë në luftë për jetën.
Nëna e tij, F.H. në një reagim për News24 ka deklaruar se gjendja e tij shëndetësore vijon të mbetet kritike.
“Djalit i kanë çarë kafkën me gurë. Të premten djali iu nënshtrua një operacioni, por gjendja shëndetësore e djalit vijon të jetë kritike. Ngjarja ndodhi të enjten, kur djali sapo doli nga xhamia. Dy djemtë e goditën me gurë, njërin prej tyre e kemi fqinj, ndërsa tjetrin nuk e njohim. Me fqinjët nuk kemi probleme. Djali nuk më ka shprehur më parë shqetësime, nuk e di shkakun përse dy të rinjtë e sulmuan,”- ka deklaruara ajo.
Dy autorët kanë pranuar fajin duke treguar se si ka ndodhur ngjarja. Ata kanë thënë se mbrëmjen e 20 marsit janë shkëmbyer me Fabjol Hysin, të cilin e njihnin më pare. Sipas tyre, 44-vjeçari i ka ofenduar. Fillimisht dy autorët kanë nisur një tallje me të për shaka, por në momentin që Fabjol Hysa i ka ofenduar, e kanë goditur me grushte.
Policia e Lushnjes ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 20-vjeçarin Irgi Nasufi dhe “detyrim paraqitjeje” për 17-vjeçarin Enea Korreshi. /ZËRI