SARANDË- Një tjetër ngjarje e rëndë në shkolla është regjistruar mëngjesin e sotëm. Mësohet se një sherr me thika ka ndodhur në një shkollë 9-vjeçare jopublike në Sarandë rreth orës 10:00.
Paraprakisht, dyshohet se një nxënës 15-vjeçar Rajan Haderi ka mbetur i plagosur, pasi është goditur me mjet prerës nga një 13-vjeçar Santiago Gerdhuqi. Fillimisht sherri ka nisur me fjalë ‘pse të kalosh ti i pari dhe jo unë’. Pas kësaj 13-vjeçari ka nxjerrë thikë dhe ka qëlluar 15-vjeçarin në pjesën e qafës.
Bëhet me dije se i mituri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vijon puna për shoqërimin e autorit të dyshuar, pasi nuk është kapur ende nga policia.
Njoftim:
Sarandë, paraprak/ Sot, rreth orës 10:00, në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr.3, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se një nxënës 13 vjeçar, ka goditur me mjet prerës një të mitur, 15 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për shoqërimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të saj./ZËRI