DURRËS-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një adoleshente italiane u abuzua seksualisht nga një 26-vjeçar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 05:25 të mëngjesit të 5 shtatorit (të premten) në shezlongët përballë një hoteli në lagjen nr.13 të qytetit.
Leonardo Preza kreu marrëdhënie seksuale me dhunë me 18-vjeçaren italiane, duke i shkaktuar edhe dëmtime fizike. Ka qenë vetë 18-vjeçarja, e cila ka denoncuar rastin në Komisariat, ku ka rrëfyer se ka qenë me shoqërinë në hotel dhe më pas u shkëput prej tyre dhe u ul te shezlongët përballë. Në këtë moment ajo pretendon se i është afruar 26-vjeçari, i cili fillimisht e ka sulmuar e më pas ka abuzuar me të.
“Gjatë natës kemi qenë me shoqërinë dhe kemi konsumuar edhe pije alkoolike. Për një çast unë jam larguar prej grupit dhe jam ulur në një shezlong që gjendej disa metra larg hotelit. Kjo ka ndodhur rreth orës 05 e 30 minuta afërsisht të mëngjesit të 5 shtatorit. Gjatë kësaj kohe më është afruar një person i cili më ka sulmuar dhe me gjithë tentativat e mia për t’u mbrojtur, më ka përdhunuar pas rezistencës time. Më pas ai është larguar. Unë erdha te juve për të bërë kallëzim lidhur me këtë ngjarje”, ka deklaruar në polici 18-vjeçarja italiane.
26-vjeçari rezulton person me precedent të theksuar kriminal, i cili më herët shtë dënuar për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.
Njoftimi i Policisë:
Kreu marrëdhënie seksuale me dhunë me një 18-vjeçare italiane, pas disa orësh pune intensive e profesionale, policia identifikon, kap dhe vë në pranga autorin.
26-vjeçari i dënuar më parë, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të vjedhjes.
Strukturat e hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë dhe duke i shkaktuar dëmtime fizike një 18-vjeçareje italiane, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Pas disa orësh hetimesh dhe veprimesh profesionale, u bë e mundur identifikimi i autorit, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i tij në flagrancë, konkretisht shtetasi L. P., 26 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, i dënuar më parë.
Arrestimi i shtetasit L. P. u krye pasi, rreth orës 05:25 të mëngjesit të datës 05.09.2025, në shezlongët përballë një hoteli në lagjen 13, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 18-vjeçare shtetase italiane.
Materialet hetimore do t’i kalohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14–18 vjeç”./ZËRI