VLORË- Një lajm i trishtë ka prekur komunitetin akademik dhe sportin shqiptar. Profesori dhe personaliteti i njohur i volejbollit, Artan Pogoni, është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare.
Pogoni u nda nga jeta pak orë më parë në Vlorë, si pasojë e një arresti kardiak. Me ndarjen e tij nga jeta, sporti dhe arsimi shqiptar humbin një figurë me kontribut të spikatur. Gjatë karrierës së tij, Artan Pogoni u dallua si drejtues sportiv, trajner i volejbollit të femrave dhe pedagog universitar, duke lënë gjurmë në formimin e shumë brezave.
Në vitet e fundit ai mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Sportit në Universitetin Barleti, ndërsa ishte gjithashtu një zë i njohur në studiot televizive, ku analizonte zhvillimet sportive dhe çështje të ndryshme të fushës së edukimit fizik.
Me një formim të gjerë akademik, Doktor Shkencash dhe me katër diploma universitare, Artan Pogoni ia kushtoi jetën zhvillimit të shkencave të sportit, veçanërisht në fushat e rekreacionit sportiv, metodologjisë së stërvitjes dhe edukimit fizik.
Ai ishte autor i 12 publikimeve shkencore dhe dy teksteve universitare, ndërsa kishte kontribuar edhe në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+, duke promovuar shkëmbimin e eksperiencave dhe modernizimin e sportit shqiptar.
Përtej karrierës akademike, Pogoni ishte i angazhuar drejtpërdrejt në sportin elitar. Ai ka qenë drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitet e fundit ishte një nga figurat drejtuese të Barleti Volej, ku ka kontribuar edhe si trajner i ekipit të femrave.
Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një pedagog, studiues dhe kontribues të rëndësishëm të sportit. Kolegë, studentë dhe sportistë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti që për shumë vite punoi për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.
Artan Pogoni do të kujtohet si një nga zërat e rëndësishëm të lidhjes mes shkencës dhe sportit në Shqipëri./ZËRI