
TIRANË-Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të vendimit të GJKKO-së për masën e sigurisë "detyrim paraqitje". Në dalje të SPAK, Deputetja e PL-së u shpreh se bëri muhabet me të gjithë stafin e Prokurorisë së Posaçme. Kryemadhi shtoi me ironi se u kërkoi agjentëve të BKH-së, prokurorëve, si edhe të tjerëve në SPAK votën për Ilir Metën, i cili ndodhet në qeli me urdhër të SPAK prej 21 tetorit 2024.
“Bëmë muhabet me gjithë personelin, stafin, ishte interesante. U kërkova votën për koalicionin opozitar, agjentëve të BKH, prokurorëve, protokoll, shërbim, gardë, oficer, çdo njeriu që më dilte përpara”, deklaroi ajo.
Gazetari: I binde të të votonin dhe për kë kandidat?
“Sigurisht që kërkon votën për babain e fëmijëve të mi dhe do të vazhdoj ta bëj deri më 11 Maj. Vetë ata atje brenda e kuptojnë se mënyra e përdorimit të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama i vendos në një pozitë të vështirë,"-tha Kryemadhi.
Ndërkohë e pyetur nga gazetarët në hyrje të ambjenteve të Prokurorisë pse ishte veshur me rroba të zeza, Kryemadhi theksoi se nuk ka ndonjë gjë të keqe.
“Jo se kam ndonjë gjë të keqe, por do ua them pastaj”, tha Kryemadhi.
Në dalje të ambjenteve nga Prokuroria e Posaçme, deputetja zbuloi arsyen se pse zgjodhi që të vishej sot me të zeza.
“Mendoj se ngjaj shumë elegante me ngjyrën e zezë”, tha Kryemadhi, teksa pohoi se ka tre vite që bën palestër.
Si Kryemadhi, ashtu edhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta; të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë./ZËRI