SARANDË-Detaje të reja janë zbardhur nga seanca në Gjykatën e Sarandës, ku 11 të arrestuarit lidhur me vrasjen e turistit Luis Miguel Varela Mendes u njohën me 'masat e sigurisë'. Në seancën e cila zgjati rreth 9 orë, shtetasi turk Nuh Mahmutoglu i cili mori në makinë autorin kryesot të dyshuar të vrasjes, Sokrat Vatë pas ngjarjes së rëndë në Ksamil ka deklaruar se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur.
Vata u arrestua 5 orë pas ngjarjes, i fshehur në bagazhin e mjetit tip Ford të shtetasit turk Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Parlak-ut. Ai ka rrëfyer se, pasi mori telefonatën nga Vata ka shkuar ta marrë me maikë, pasi truproja i 'Principotes' i kishte thënë se kishte pësuar një aksident me motor.
Sipas turkut Vata i ka thënë se donte të flinte dhe është futur në bagazhin e automjetit. Pasi mori Vatën në automjet, ai ka vijuar rrugën për të marrë edhe një vajzë turke, duke këmbëngulur se në atë moment nuk kishte dijeni për ngjarjen e vërtetë.
Ndërkohë, edhe vajza turke ka dhënë dëshminë e saj. Ajo ka thënë se nuk kishte dijeni se një person ndodhej në bagazhin e makinës. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën “arrest në burg” për Sokrat Vatën, i dyshuar si autori i vrasjes dhe dy shtetasit turq, Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu.
“Vetëm fakti që janë gjetur bashkë nuk justifikon masën ‘arrest me burg’, pasi nuk provohet se kishte dijeni për ngjarjen dhe, për rrjedhojë, nuk plotësohet ana subjektive”, ka deklaruar mbrojtja.
Nuh Mahmutoglu, me banim në Durrës, është administrator i një biznesi që ushtron aktivitet në fushën e makinave me qira./ZËRI