Aktualitet

Vrasja e 20-vjeçarit në Ksamil/ Zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës në sallën e gjyqit: Nuk e kujtoj si e kam goditur, isha në shok

Sipas dëshmisë së tij, gjatë përleshjes ai i ka marrë thikën nga dora njërit prej turistëve, ndërsa më pas është goditur me shkelm në nofull dhe ka rënë në tokë.

M.K.
Vrasja e 20-vjeçarit në Ksamil/ Zbardhet dëshmia e Sokrat
sokrat vata

SARANDË- Detaje të reja janë bërë të ditura nga dëshmia e Sokrat Vatës para Gjykatës së Sarandës, gjatë seancës ku u shqyrtua masa e sigurisë ndaj tij për vrasjen e 20-vjeçarit portugez, Luis Miguel Varela Mendes.

Vata ka pretenduar para trupit gjykues se ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas versionit të tij, gjithçka ka nisur pas një konflikti me një grup turistësh, të cilët po shkaktonin zhurmë në ambientet e lokalit.

Ai ka treguar se fillimisht shoku i tij u ka kërkuar turistëve të qetësoheshin, por situata më pas ka kaluar në përplasje fizike.

Nuk e kujtoj si e kam goditur. Isha në shok. Nuk e dija nëse ndonjëri prej tyre ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka deklaruar Vata para gjykatës.

Sipas dëshmisë së tij, gjatë përleshjes ai i ka marrë thikën nga dora njërit prej turistëve, ndërsa më pas është goditur me shkelm në nofull dhe ka rënë në tokë.

Vata ka pretenduar se në momentin e përplasjes ka lëvizur dorën në mënyrë instinktive, ndërsa turistët po tentonin ta godisnin sërish, duke mohuar se ka pasur një qëllim të paramenduar për ta vrarë 20-vjeçarin.

Ndërkohë, para gjykatës ka dëshmuar edhe shtetasi turk Nuh Mahmutoglu. Ai ka deklaruar se Vata e ka telefonuar rreth orës 06:30 të mëngjesit dhe i ka kërkuar ta dërgonte drejt Tiranës, duke i thënë se kishte pësuar një aksident me motor.

Personat e tjerë të shoqëruar në lidhje me ngjarjen kanë mohuar përfshirjen e tyre dhe kanë deklaruar se nuk kanë qenë dëshmitarë të momentit kur 20-vjeçari u godit me thikë./ZËRI

Poll

MOS HUMB