TIRANË- Kristian Koni, i njohur edhe si Olsi Meta, është vënë nën hetim nga organet ligjzbatuese me dyshime të forta për pastrim parash. Ai ka përdorur identitete të ndryshme dhe ka kryer transaksione financiare të dyshimta për pasuri të paluajtshme të kategorisë vilë rezidenciale. Olsi Meta alias Kristian Koni është administrator i firmës "Kriol.Al.", e cila ka si objekt eksportin e automjeteve, shit-blerje të pasurive të paluajtshme dhe reklamim për kompanitë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e internetit.
Burimet thanë për ZËRI se, sipas hetimeve rezulton se Koni zotëron pasurinë 'Vilë' në zonën e Mulletit. Kjo pasuri rezulton se është siguruar përmes kontratave të dyshimta, me një çmim shumë më të ulët sesa vlera fillestare e saj. Vila në fjalë ishte porositur nga çifti Vesel dhe Rezarta Demiraj me një çmim prej 800 mijë eurosh. Ndërsa "Kriol.Al" u përfshi në një transaksion për blerjen e kësa vile me një çmim shumë të ulët. Fillimisht do i shitej për 280 mijë euro, e më pas për 300 mijë euro. Pra, me një çmim dukshëm më të ulët se sa çmimi fillestar i porosisë nga Vesel Demiraj (808,000 euro). Ky transaksion, i kryer nëpërmjet kontratave premtim-shitjeje, ngre dyshime të forta për pastrim parash, duke qenë se diferenca mes çmimit real dhe atij të rënë dakord është tepër e lartë.
Bëhet fjalë për një 'Vilë nr. 2-B', 3 katëshe dhe sipërfaqe totale ndërtimi 391.1 m², e pajisur me pishinë, e ndodhur në zonën e Mulletit (Tiranë), pjesë e projektit rezidencial “Rolling Hills 2". Lidhur me historikun e kësaj pasurie, rezulton se pala premtuese-shitëse, shtetasi Vesel Demiraj, e kishte porositur këtë vilë nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes nr. 1440 rep. / nr. 1053 kol., datë 14.04.2021, të lidhur me shoqërinë "AS Construction" sh.p.k., me NIPT L91909020Q. Sipas kësaj kontrate, çmimi i dakordësuar për pasurinë e sipërpërmendur ishte 808,000 euro, me pagesë në disa këste. Në momentin e lidhjes së kontratës së premtim-shitjes me Kristian Konin, pala shitëse ende nuk kishte përfunduar likuidimin e detyrimeve për blerjen e kësaj pasurie.
Më datë 18.03.2024, palët kanë revokuar kontratën e premtim-shitjes, me arsyetimin se pala premtuese e blerjes nuk kishte përmbushur detyrimet kontraktuale, duke u kthyer në gjendjen e mëparshme. Pas kësaj, shtetasit Vesel dhe Rezarta Demiraj kanë lidhur një marrëveshje të re premtimshitjeje me shoqërinë "Kriol.Al" sh.p.k., me NIPT M12227050J, e përfaqësuar nga administratori Kristian Koni, për shitjen e së njëjtës pasuri – "Vilë nr. 2-B" me sipërfaqe 391.1 m² dhe përbërje 3 kate - kundrejt çmimit 300,000 euro. Në kontratë është përcaktuar se marrëveshja përfundimtare do të realizohej brenda 30 ditëve nga dita kur: Pala premtuese e shitjes të pajisej me çertifikatë pronësie; dhe Pala premtuese e blerjes të shlyente çmimin e plotë të pasurisë. Nga të dhënat e grumbulluara, konkludohet se:
Shoqëria "Kriol.Al" sh.p.k., e administruar nga Kristian Koni, është përfshirë në një transaksion për blerjen e kësaj pasurie me një çmim dukshëm më të ulët (300,000 euro) se sa çmimi fillestar i porosisë nga Vesel Demiraj (808,000 euro). Në bazë të aktit noterial nr. 1946 rep. / nr. 1328 kol., është rënë dakord që shuma prej 300,000 euro të paguhet si më poshtë:
202,000 euro brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës, në llogari të shtetasve Demiraj, pranë bankave të nivelit të dytë; 14 98,000 euro me një ose disa këste të papërcaktuara paraprakisht, në varësi të nevojave të palës blerëse dhe në momentin e nënshkrimit të kontratës përfundimtare. Gjithashtu, është përcaktuar se dorëzimi fizik i pasurisë nga pala shitëse te pala blerëse do të kryhej pas kryerjes së pagesës së këstit të parë, në shumën 202,000 euro./ZËRI

