Aktualitet

Dosja në SPAK dhe pasuritë luksoze! Ministria e Drejtësisë: I kërkuam Francës ekstradimin e Ermal Beqirajt

Në njoftimin zyrtar shpjegohen edhe proceduarat e ekstradimit, ku nënvizohen afatet kohore dhe në rastet kur është e nevojshme, kërkohet edhe arrestimi provizor i tij.

F.I
Dosja në SPAK dhe pasuritë luksoze! Ministria e Drejtësisë:
Ermal Beqiri

TIRANË-Ministria e Drejtësisë ka njoftuar zyrtarisht se i ka përcjellë dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj autoriteteve franceze. Biznesmeni është shpallur në kërkim nga SPAK lidhur me çështjen e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Bashkëngjitur kërkesës për ekstradim është vendosur edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, si person që dyshohet se ka kryer 7 vepra penale. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale". 

Ministria njofton se do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj në këtë proces, në bashkëpunim me autoritetet e të dy vendeve. Në njoftimin zyrtar shpjegohen edhe proceduarat e ekstradimit, ku nënvizohen afatet kohore dhe në rastet kur është e nevojshme, kërkohet edhe arrestimi provizor i tij.

Ermal Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik. Gjykata franceze i caktoi masën e përkohshme "arrest me burg" me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Biznesmeni u prangos fillimisht nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. Beqiri ndodhet në paraburgim në Francë me vendim të autoriteteve franceze, ndërsa autoritetet e vendit tonë kanë ndërmarrë hapin e radhës për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Drejtësia franceze duhet të përfundojë procedurat që lidhen me veprat penale për të cilat Beqiraj dyshohet se i ka kryer në territorin francez.

NJOFTIMI I MINISTRISË:

Ministria e Drejtësisë bën me dije se, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, ka përcjellë sot pranë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin e shtetasit E. B., të përcjellë nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës.

Vijimi i procedurës së ekstradimit do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin e Republikës Franceze dhe instrumentet ndërkombëtare në fuqi.

Ministria e Drejtësisë do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj në këtë procedurë, në përputhje me ligjin dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të të dy vendeve.

Informacion mbi procedurat e ekstradimit

* Ministria e Drejtësisë njoftohet nga autoritetet kompetente për lokalizimin ose arrestimin e një personi në një shtet të huaj, si edhe për afatin brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa formale për ekstradim.
* Prokuroria kompetente paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës procedural.
* Drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë verifikon dokumentacionin dhe ndërmerr veprimet për përkthimin e tij në gjuhën e shtetit të kërkuar ose në gjuhën e përcaktuar nga instrumentet ndërkombëtare.
* Pas përfundimit të përgatitjes së dosjes, Ministri i Drejtësisë nënshkruan kërkesën për arrestim provizor (kur është e nevojshme) dhe/ose ekstradim.
* Kërkesa dhe dokumentacioni u përcillen autoriteteve të shtetit të kërkuar në rrugë diplomatike, sipas procedurave ndërkombëtare.
* Për të përshpejtuar procedurën, dokumentacioni mund të transmetohet paralelisht edhe në rrugë elektronike ndërmjet autoriteteve kompetente.
* Kërkesa për ekstradim mbështetet në kërkesën e prokurorisë kompetente dhe në legjislacionin shqiptar, përfshirë Kodin e Procedurës Penale, ligjin për juridiksionin në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme.
* Afati për paraqitjen e kërkesës formale dhe dokumentacionit përcaktohet nga konventat ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa Evropiane për Ekstradimin, e cila parashikon afatet përkatëse (40 ditë sipas nenit 24 të Konventës për Ekstradimet) pas arrestimit ose ndalimit provizor.
* Ministria e Drejtësisë siguron që kërkesa të dërgohet brenda afateve ligjore dhe ndjek në vijim komunikimin me autoritetet e shtetit të kërkuar deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit.

Në njoftimin zyrtar për arrestimin e Beqirit, SPAK bëri me dije se hetimet e zhvilluara në Francë zbuluan pasuri të dyshuara me origjinë kriminale, ndërsa kontrollet dhe verifikimet financiare do të vijojnë edhe për identifikimin e aseteve të tjera. Konkretisht bëhet fjalë për një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, llogari bankare, apartamente dhe mjete motorike.

ZËRI ndau pamje nga kështjella 'Château d'Auteuil', një rezidencë e ndërtuar në shekullin XVI, e cila raportohet se ka përfituar gjithashtu fonde nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet lokale franceze për restaurimin dhe zhvillimin e saj si destinacion turistik, ndërsa është përfshirë edhe në guidat e Figaro Magazine si një nga rezidencat historike të rekomanduara për akomodim në Francë.

Në Shqipëri janë sekuestruar një sërë pasurish, mes tyre prona në Green Coast në Vlorë, pasuri në zonën e "Hoxha Tasim" dhe Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti "Skyfall", disa automjete, llogari bankare, si edhe aksione në shoqëri tregtare. 

Poll

MOS HUMB