Aktualitet

Dikur miku i Plarent Dervishajt! Ekstradohet nga Dubai Dritan (Amar) Shkëmbi

Shkëmbi, u shpall në kërkim nga prokuroria e posaçme për akuzën e “Vrasjes së funksjonarëve publikë” të mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe “të fortit” të Shijakut, Aleksandër Lahos alias “Rrumit”.

F.I
Dikur miku i Plarent Dervishajt! Ekstradohet nga Dubai Dritan (Amar)
Dritan Shkëmbi

TIRANË-Dritan alias Amar Shkëmbi, që dikur ishte pjesë e rrethit shoqëror të ngushtë me Plarent Dervishajn dhe i shpallur në kërkim prej gati dy vitesh nga SPAK, është ekstraduar nga Dubai. Shkëmbi, u shpall në kërkim nga prokuroria e posaçme për akuzën e “Vrasjes së funksjonarëve publikë” të mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe “të fortit” të Shijakut, Aleksandër Lahos alias “Rrumit”.

Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK ndaj Amar Shkëmbit, ai së bashku me Plarent Dervishajn, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, kanë vepruar në vitin 2019 në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpujnimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Njoftimi i policisë:

Ekstradohet nga Dubai, një shtetas i akuzuar nga GjKKO-ja, për krime të rënda kundër disa personave.

Si rezultat i bashkëpunimit konsistent të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Abu Dhabi, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të shtetasit shqiptar A. Sh. alias D. Sh..

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:

-“Vrasja e funksionarëve publikë", mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. N.;

-"Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", me pasojë vdekjen e shtetasit A. M., si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit A. L. (P. M.);

-"Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit";

-"Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtetasit P. D., E. S., B. P., J. M. dhe R. R., në dëm të shtetasve A. N. dhe A. L. (P. M.), vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;

-“Vjedhja", kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi A. Sh. alias D. Sh. është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit A. M., A. N. dhe A. L.. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. M., si dhe u plagosën shtetasit A. N. dhe A. L..

Më 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit “Rrumit” iu bë pritë në atentat teksa udhëtonte në makinën e ish-prokurorit Arjan Ndoja. Të dy mbetën të plagosur, ndërsa fatkeqësisht plumbat i morën jetën shoferit, Andi Maloku, një të riu 29-vjeçar nga Fushë-Kruja./ZËRI

Poll

MOS HUMB