SHKODËR- Godina e ish-Shkollës së Rezervave në Shkodër, apo siç njihet ndryshe si “pallati i beqarëve”, është burimi i konfliktit mes disa palëve që çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë dhe plagosjes së dy të tjerëve. Bëhet fjalë për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku strehohen 31 familje. Ndërsa familja Shkambi pretendon pronësinë e të gjithë godinës.
Në vitin 1992, 31 familjet familje me vendim të Bashkisë së Shkodrës u vendosën në godinën e ish-Shkollës së Rezervave të ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore dhe se dokumentet e Gjon Shkambit janë të falsifikuara, nga ana tjetër, familja Shkambi kërkon të nxirren jashtë 31 familjet.
Gjon Shkambi është xhaxhai Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Dy vite më parë, Gjoni ishte denoncuar nga 31 familje në Shkodër, duke thënë se u kishte marrë shtëpitë. Pas këtyre akuzave ai kishte dalë publikisht me një deklaratë për mediat duke mohuar akuzat.
Por, çfarë deklaronte dy vite më parë Gjon Shkambi? Pas akuzave të banorëve, Gjon Shkambi kishte reaguar për mediat duke pretenduar se është pronari i godinës dhe pronat i ka me dokumentacion të rregullt që i ka fituar përmes proceseve gjyqësore. Një ditë pas padisë në polici dhe akuzave të banoreve për thyerje të banesave dhe kërcënime, Gjon Shkambi reagoi publikisht për mediat, ku madje kërkonte nga policia dhe përmbarimi, lirimin e pronave të tij.
Në vitin 2020, zyra private e përmbarimit e kthyeu mbrapsht me pretendimin se personi që pretendon se është pronari i tokës, ka dokumentet false. Që atëherë, çështja e 31 familjeve në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër, është zvarritur neper dyert e institucioneve. Por mbrëmjen e së hënës, banorët protestuan përpara komisariatit të policisë, pasi pretendojnë se personi në fjalë po dhunon banesat e tyre.
Çështja e pronësisë pati një përfundim akoma dhe më fatal, pasi gjyqtari Astrit Kalaja që po e shqyrtonte këtë çështje, u vra në krye të detyrë pikërisht për shkak të vendimit të dhënë. Në gjyqin e sotëm, Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm dha vendim jo në favor të autorit dhe familjes së tij.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e sotme gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Dyshohet se autori tashmë i identifikuar, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkëmbi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks.
Por ajo ç'ka e bën më tronditëse dhe të çudishme këtë ngjarje, është fakti se si një person i armatosur është futur brenda institucionit të drejtësisë. Si mund ta ketë shmangur autori kontrollin e sigurisë, me armën në xhep, dhe të jetë futur krejt lehtësisht brenda sallës së gjyqit?!
Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital./ZËRI

