SHKODËR-Arjon dhe Klisman Hasaj, dy vëllezërit që dyshohet se planifikuan dhe vranë Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Postribës janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Shkodrës. Ndaj dy vëllezërve janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyes dhe municionit’, ‘Prishja e qetësisë publike’, ‘Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.
Autori i dyshuar, Arjon Hasaj ka treguar plotësisht vrasjen e kryer, sipas të cilit ka ardhur si shkak i një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh. Autori ka rrëfyer se Mataj ka shkatruar dy martesa të motrës së tij, madje ish-burrit të dytë i ka dërguar video intime. Ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj i dyshuar për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit nuk ka pranuar asnjë akuzë ndaj tij duke thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait dhe faktit që do kryente vrasje.
NJOFTIMI:
Prokuroria Shkodër dërgon në gjyq 2 vëllezërit për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’ dhe katër vepra të tjera
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq dy vëllezër, shtetasit A.H. dhe K.H., të akuzuar për pesë vepra penale.
Në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen e ndodhur në 05.01.2024 ku rreth orës 07:15 në vendin e quajtur ‘Dragoç’ njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër, u vra me armë zjarri në automjetin e tij shtetasi R.M.
Në lidhje me këtë ngjarje pasi janë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivin, në përfundim të hetimeve, u morrën të pandehur vëllezërit, shtetasit A.H. dhe K.H., të cilët akuzohen për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyee dhe municionit’, ‘Prishja e qetësisë publike’, ‘Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’ parashikuar në nenet 78-25, 278/1/4-25, 274-25, 80-25 dhe 301-25 të Kodit Penal.
Arjon Hasaj dëshmoi se e vrau 33-vjeçarin se ai ka shkatërruar dy martesa të motrës së tij, madje ish-burrit i ka dërguar video intime. Ndërsa vëllai i tij, Klisman siguroi kushtet për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit. Pavarësisht akuzave, ai nuk e ka pranuar krimin duke thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait. 33-vjeçari, Ramazan Mataj u ekzekutua mëngjesin e 5 janarit, vetëm 2 kilometra larg banesës së tij, ku edhe ishte duke shkuar me mjetin e tij, tip "Mercedez Benz". Viktima kishte jetuar për afro 1 vit e gjysmë në Belgjikë, bashkë me të vëllain, i cili ndodhet atje, dhe pas kthimit punonte në ndërtim në Malin e Zi./ZËRI



