
ELBASAN- Katër persona janë në shënjestër të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit "Bankrupt". 3 persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit pasi akuzohen se falimentuan me qëllim 7 fasoneri në Elbasan për të shmangur detyrimet tatimore. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Bankrupt”, u vendosën në pranga shtetasit Algert Kau, Giuseppe Lamachia dhe Zyhra Kreci, ndërsa 31-vjeçarja me iniciale E. S., u vendos në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas asaj që bën me dije Policia, italiani Giuseppe Lamachia, u kap në Rinas në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Ndërkohë janë vendosur nën sekuestro preventive mbi 7 fasoneri dhe 12 llogari bankare të tyre. Mes fasonerive të sekuestruara janë: 'GEA & AF' e Algert Kaut dhe fabrika 'TOMAIFICIO VITTORINI' e Zyra Krecit.
Çfarë zbuluan hetimet?
Sipas Prokurorisë së Elbasanit, të arrestuarit kishin krijuar një skemë mashtrimi të mirëorganizuar ku asete, punonjës dhe aktivitete ekonomik transferoheshin nga një subjekt në tjetrin. E gjitha për të shmangur detyrimet tatimore. Subjektet e tyre kanë mbi 14 milionë lekë detyrime tatimore të papaguara, ndërsa nga analizimi i llogarive bankare është konstatuar se janë tërhequr mbi 2.1 milionë euro të pajustifikuara dhe pa dokumentacion mbështetës.
“Subjektet lidhen direkt dhe indirekt me njëri-tjetrin, duke qenë se aktiviteti i tyre në fushën e fasonerisë, aksionerët dhe administratorët e shoqërive, si dhe punonjësit janë të njëjtë në të gjitha shoqëritë. Asetet kanë kaluar nga një shoqëri te tjetra dhe me anë të veprimeve aktive, shtetasit dhe subjektet nën hetim kanë sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm,”- njoftoi Prokuroria e Elbasanit.
Gjithashtu, Prokuroria ka dyshime se në këtë skemë janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërore në qytetet e Elbasanit, Durrësit dhe Tiranës.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Krijuan një skemë mashtrimi mes shoqërive tregtare për të shmangur detyrimet tatimore, me kërkesë të Prokurorisë Elbasan arrestohen pesë persona, mes të cilëve 3 shtetas italianë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për pesë persona, tre prej të cilëve shtetas italianë dhe ‘Arrest shtëpie’ për një shtetase tjetër të dyshuar për veprat penale “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve”, “Falimentim i provokuar”, ‘Mashtrimi’, “Shpërdorim i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga nenet 181, 193, 143, 164 dhe 180 i Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve mbi procedimit penal nr. 1462 të vitit 2024, të referuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u zbulua ekzistenca e një skemë mashtrimi të mirorganizuar ku asete, punonjës dhe aktivitet ekonomik janë transferuar nga një subjekt në tjetrin, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe fiktivizimin e operacioneve financiare. Totali i detyrimeve tatimore të papaguara për subjektet rezulton në mbi 14 milionë lekë, ndërsa nga analizimi i llogarive bankare, janë konstatuar tërheqje mbi 2.1 milion euro, të pajustifikuara dhe pa dokumentacion tatimor mbështetës.
Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal, me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nr.351, datë 02.06.2025 janë vendosur nën sekuestro konservative shtatë subjekte tregtare, disa llogari bankare dhe dhjetë automjete. Shtetasit ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurimit, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe persona të tjerë, ishin përfshirë në një skemë mashtrimi duke simuluar falimentin e subjekteve dhe krijimin e tyre në mënyrë fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar. Subjektet lidhen direkt dhe indirekt me njëri-tjetrin, duke qënë se aktiviteti i tyre në fushën e fasonerisë, aksioneret dhe administratorët e shoqërive, si dhe punonjësit janë të njëjtë në të gjitha shoqëritë. Asetet kanë kaluar nga një shoqëri te tjetra dhe me anë të veprimeve aktive, shtetasit dhe subjektet nën hetim kanë sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë duke u kryer hetime metoda speciale të hetimit, pasi ka dyshime së në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, të organeve tatimore, doganore dhe bashkive ku këto subjekte ushtronin aktivitetin e tyre, e konkretisht në qytetet Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale./ZËRI