TIRANË-Enrik Banushi është larguar nga drejtimi i shoqërisë policore “Illyrian Guard sh.a”, e cila është me kapital 100 % shtetëror. Mësohet se në vend të tij, është emëruar Florenc Spaho, ish-drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, QSUT. Spaho ka qenë deputet i Partisë Socialiste prej vitit 2019 e në vijim në Elbasan, mirëpo në zgjedhjet e 11 Majit të vitit të kaluar, ai nuk arriti të siguronte mandatin.
Largimi i Banushit vjen në një moment kur shoqëria ka qenë shpesh në qendër të debatit publik për rolin dhe funksionimin. Edhe kryeministri Edi Rama, në një fjalim të mbajtur lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme më shtator të vitit 2025 ku shprehu rezervat e tij mbi punën, kritikoi edhe shoqërinë “Illyrian Guard” si një “jetimore qokash” që humbi misionin e saj fillestar.
“Për të mos harruar nivelin e shoqërisë Illyrian Guard, e cila u krijua për t’ju dhënë kuadrove të Policisë një tranzicion të butë drejt pensionit me një pagë të denjë dhe u kthye në një jetimore qokash nga të katërta anët, duke humbur misionin për të cilin u krijua. Policia shkencore është një tjetër strukturë që, falë disa specialistëve, i ka mbijetuar kohës, derisa filluan investimet serioze në shërbimet nëpër spitale. Por një polici shkencore e pa investuar gjëkundi, siç duket për këtë kohë që jetojmë. Apo shërbimi elitë i RSH-së, Garda. Administrimi i pasurive të sekuestruara, më në fund ka filluar të bëjë sens pas kushedi se sa vitesh. Kjo është meritë e ministrit dhe e drejtores, meritë që më në fund i dha vëmendjen e duhur. Policia e Shtetit mbetej prapë pa infrastrukturën e duhur, ndërkohë që kriminelët rimerrnin pallatet. Palace i thonë francezët vilave të ekzagjeruara që fare mirë mund të ishin komisariate policie, për të thënë 'këtu është shteti'",- tha Rama asakohe.
“Illyrian Guard” u themelua në vitin 2019 si shoqëria e parë aksionere me kapital 100% shtetëror në fushën e sigurisë fizike. Kapitali fillestar i saj ishte 10 milionë lekë. Ajo ofron shërbime sigurie për institucione shtetërore të rëndësisë së veçantë, por edhe për subjekte publike dhe private, kundrejt pagesës. Përveç ruajtjes fizike, shoqëria operon edhe në fusha mbështetëse si teknologjia e informacionit dhe shërbime të tjera të lidhura me sigurinë, kryesisht në funksion të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve në varësi të saj./ZËRI