Aktualitet

Apeli i GJKKO lë në burg Erion Veliajn, kryebashkiaku nuk paraqitet në seancë

Vetë kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në seancë, por përfaqësohej nga avokati i tij

F.I
Apeli i GJKKO lë në burg Erion Veliajn, kryebashkiaku nuk paraqitet
Erion Veliaj

TIRANË-Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm u mbajt sot seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg. Apeli la në fuqi masën e sigurisë arres me burg për kryebashkiakun, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Ermir Beta. 

Veliaj kërkoi një masë më të butë sigurie, duke ofruar dhe vënë në dispozicion garanci pasurore pa përcaktuar një shumë duke ia lënë në vlerësim gjykatës, por nuk është pranuar nga Apeli i GJKKO. Në seancë i pranishëm ishte edhe biznesmeni Elman Abule, për të cilin Apeli vendosi të vijojë masa 'detyrim paraqitje'. 

Ndërkohë sot në SPAK është paraqitur bashkëshortje e tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit është paraqitur në zbatim të masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’. Në paraqitjen e fundit në SPAK, Xoxës i është komunikuar edhe një tjetër akuzë, ajo e fshehjes së të ardhurave.

Bashkëshortja e Erion Veliajt akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI

Poll

MOS HUMB