TIRANË-Studiuesi dhe eksperti i trashëgimisë kulturore, Auron Tare ka reaguar në lidhje me programin LEAD Albania, i cili mbështet teknicientë të rinj shqiptarë për rritje profesionale. Sa i përket projektit, personat në fjalë pajisen me një bursë njëvjeçare si këshilltar në institucione të ndryshme pritëse, duke përfshirë Zyrën e Kryeministrit, Zyrën e Presidentit, ministritë kryesore, Bashkinë e Tiranës dhe institucionet e reja të Sistemit të Drejtësisë.
Por me anë të një imazhi nga shkrimi për projektin, Tare shprehet se në fakt në foton e publikuar nga AADF nuk shihen shqiptarë, por vetëm indianë dhe aziatikë. Studiuesi deklaron se si duket fondacioni AADF po projekton edhe Shqipërinë e ardhshme, me në qendër të huaj, pasi më herët mori Trashëgiminë Kulturore, duke iu referuar menaxhimit të zonës arkeologjike të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Menaxhimi i Butrintit
Përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro - Amerikan për Zhvillim (AADF) së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), janë në krye të përpjekjeve për krijimin e një modeli pioner për menaxhimin e zonës arkeologjike të Parkut Kombëtar të Butrintit. Fondacioni Shqiptaro - Amerikan për Zhvillim, AADF, është angazhuar për projekte të ndryshme në përfitim të Parkut Kombëtar të Butrintit me një fond prej 6.18 milionë dollarë amarikanë.
Kjo mënyrë e re e menaxhimit të Parkut të Butrintit u kritikua nga një mision i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, ndërsa një grup deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese, që ta anullonte atë marrëveshje si antikushtetuese.
Por Gjykata Kushtetuese, pasi pranoi se u ndesh me “një marrëveshje atipike, e cila nuk kishte të ngjashme në vendet e Europës perëndimore, por vetëm në disa shtete të Evropës lindore”, në fund vendosi t’i hapte rrugë asaj dhe menaxhimit të Butrintit përmes një fondacioni.
Postimi:
Më poshtë një postim i AADF-së mbi programin LEAD Albania. Një program ky që mbështet teknicientë të rinj shqiptarë për rritje profesionale. Po e shikoja me kuriozitet pasi rrekesha të kuptoja se kush ishte shqiptar në këtë foto. Ky me Turban në kokë? Këta indianët ne sfond apo këto gocat aziatike? Ndoshta e kam unë gabim që nuk po i gjej dot apo ndoshta AADF pasi na mori Trashëgiminë Kulturore me bekimin e baballarëve të Kombit tani po projekton edhe Shqipërinë e ardhshme?
Artikulli i AADF:
LEAD Albania është një program unik lidershipi që u ofron profesionistëve të rinj të përzgjedhur me kujdes mundësinë për një përvojë të drejtpërdrejtë në nivelet më të larta të qeverisjes në Shqipëri. LEAD është modeluar sipas Programit të Bursave të Shtëpisë së Bardhë në SHBA.
Përbëhet nga një bursë njëvjeçare si këshilltar në institucione të ndryshme pritëse, duke përfshirë Zyrën e Kryeministrit, Zyrën e Presidentit, ministritë kryesore, Bashkinë e Tiranës dhe institucionet e reja të Sistemit të Drejtësisë. Përveç kësaj, çdo vit për bursistët ofrohet një komponent edukimi i vazhdueshëm, i cili përfshin trajnime të ndryshme të kryera nga ekspertë vendas, Universiteti i Harvardit dhe Qendra për Lidership Kreativ në Bruksel.
Gjatë bursës njëvjeçare, pjesëmarrësit kanë gjithashtu mundësinë të takohen me personalitete të njohura diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Ambasadorin e SHBA-së dhe figura të tjera politike. Për më tepër, ata mund të marrin pjesë në disa takime në Parlamentin e BE-së dhe Komisionin e BE-së gjatë një vizite studimore njëjavore në Bruksel. Programi LEAD Albania synon të etablohet si një kontribues prestigjioz në zhvillimin e lidershipit të ardhshëm në Shqipëri. Që nga viti 2023, ai feston 10-vjetorin e tij me një total prej 108 bursistësh të regjistruar në program.