
KIEV- Ambasada shqiptare në Kiev është dëmtuar, si pasojë e sulmeve ruse në Ukrainë. Përmes një njoftimi Ministria e Jashtme deklaroi se si pasojë e sulmeve u vu në rrezik jeta e personelit diplomatik. Nga sulmi rus është goditur edhe infrastruktura kritike në Rajonin e Goloseevit, ku gjenden 6 ambasada, në mesin e të cilëve edhe ajo shqiptare.
Fatmirësisht nga ky sulm raportohet vetëm për dëme materiale dhe asnjë nga anëtarët e personelit nuk është lënduar nga sulmi. Përmes deklaratës së saj, ministria e Jashtme njofton se dënon këtë sulm të paprovokuar, të cilin e quajti një sulm ndaj themeleve të diplomacisë ndërkombëtare.
“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.
POSTIMI I PAMJEVE:
View this post on Instagram
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Pas sulmit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur edhe ambasadorin rus në Tiranë, Zaitsev Alexey Anatolyevich, të cilit i ka kërkuar shpjegime për ngjarjen si dhe i ka shprehu protestën e qeverisë shqiptare ndaj këtij akti.
Por nuk ka qenë vetëm Ambasada shqiptare e dëmtuar nga sulmi! Raketat kanë dëmtuar edhe ambientet e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut, ambasada e Malit të Zi, Argjentinës, Portugalisë dhe Palestinës. Por fatmirësisht sërish nuk ka të lënduar në njerëz, të paktën nga stafi i ambasadave. Mediat kanë raportuar për 1 viktimë dhe 9 të plagosur./ZËRI