Aktualitet

Fati i Ballukut, Kushtetuesja edhe sot pa një vendim, shtyhet sërish seanca

Sipas qeverisë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, si dhe kanë paralizuar vendimmarrjen dhe nxjerrjen e akteve në Ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturë.

F.I
Fati i Ballukut, Kushtetuesja edhe sot pa një vendim, shtyhet sërish
Belinda Balluku

TIRANË-Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese nuk ka dalë as sot me një vendim lidhur me ankimimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Tetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese u mblodhën në Dhomë Këshillimi, pasi në mbledhjen e parë kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin, por sërish nuk dolën në një vendim, duke shtyrë kështu çështjen për një seancë tjetër.

Në seancën e të premtes, 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.

Sipas qeverisë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, si dhe kanë paralizuar vendimmarrjen dhe nxjerrjen e akteve në Ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturë. Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke i hapur rrugë edhe arrestimit. 

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro.  Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro)./ZËRI

Poll

MOS HUMB