SARANDË- Gjykata e Apelit ka liruar sot nga qelia, ish-shefin e Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllarin, i cili që u arrestua në maj nën dyshimin për shpërdorim detyre. Bashllari është lënë në masën detyrim paraqitje.
Ish-drejtuesi i policisë u ndalua së bashku me nënkomisarin e Krimeve në Sarandë, Andi Duro, nënkomisarin Ajdin Ismailaj dhe inspektorin Robert Çullaj, më 16 maj nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nën dyshimet për shpërdorim detyre lidhur me kontrollet dhe procedimet ndaj ndërtimeve pa leje në zonën e Ksamilit dhe Sarandës.
Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi sipas hetimeve dyshohet se kanë toleruar ose kanë pasur rol në lejimin e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare. Gjithashtu, mbi ta rëndojnë edhe akuzat për “kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra të kryera në bashkëpunim. Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj ish-drejtuesve të policisë.
Pas ndërtimit pa leje që u zbulua nga Policia me 15 maj, dyshohet se fshihet një grup kriminal me bazë në Kamëz. Prona në fjalë ka qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili u ekzekutua me tritol në makinën e tij në tetor të 2025. Ka dyshime se grupi kriminal mund të ketë kryer shpërthimin me tritol dhe të jenë autorë edhe të ngjarjeve të tjera në qytetin e Sarandës.
Prona e Jaçajt dyshohet të jetë marrë me dhunë nga grupi kriminal, ku po ndërtohej një beach bar, i cili do vihej në funksion për sezonin veror. Biznesi dyshohet të jetë vendosur në emër të Arjola Dhrami Bajo prej 2022-shit, e cila është e shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.
Aksioni nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit, për ndërtimin pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numër 1 në Sarandë, që çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo./ZËRI
