TIRANË-Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka prezantuar sot Ervis Gjoshin, si drejtor të Drejtorisë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, pas dorëheqjes së Arben Carës. Gjoshi do të ushtrojë detyrën e drejtuesit të komanduar të këtij institucioni.
“Me një karrierë prej 18 vitesh në Policinë e Shtetit, me përvojë të gjatë në drejtimin e strukturave të sigurisë, si zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në DVP Tiranë dhe më herët si shef Komisariati në Dibër, ai sjell në këtë detyrë eksperiencën dhe përgjegjshmërinë e nevojshme për një strukturë kaq të rëndësishme. Rishikimi i kuadrit ligjor për MZSH dhe një program kombëtar për parandalimin e zjarrit mbeten prioritet për detyrën që i është besuar”, u shpreh ministri.
Gjatë prezantimit, Lamallari theksoi rëndësinë e rritjes së gatishmërisë dhe profesionalizmit të shërbimit zjarrfikës, sidomos në në menaxhimin e situatave të emergjencave civile dhe parandalimin e vatrave të zjarrit në të gjithë vendin.
Më 10 gusht, Arben Cara dha dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës në kulmin e sezonit të zjarreve në vend.
Cara u komandua në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës në shkurt të vitit 2024, duke zëvendësuar Holta Kominon. Ndërkohë, deri më tani, nuk është bërë i ditur emri i personit që do ta pasojë në drejtimin e Shërbimit Zjarrfikës./ZËRI
