Aktualitet

Filetot e pulës me salmonelë/ Palnikaj: Nuk e dimë sa mish u konsumua! AKU kërkon heqjen e lincencës për kompaninë

Palnikaj është shprehur se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kërkuar heqjen e licencës për kompaninë që importoi mish me salmonelë nga Brazili.

I.F
Filetot e pulës me salmonelë/ Palnikaj: Nuk e dimë sa mish u
Dritan Palnikaj

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Dritan Palnikaj ka folur për skandalin me mishin e pulës me salmonelë që u shit në vendin tonë. Në tregjet e vendit ka përfunduar 13 tonë fileto pule me salmonelë që u importua nga kompania AMG FOOD e Mond Goxhës, me administrator vëllain e tij, Arben Goxha, i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës. Palnikaj është shprehur se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kërkuar heqjen e licencës për kompaninë që importoi mish me salmonelë nga Brazili.

Zyrtari tha për “Report TV” se AKU e ka referuar rastin menjëherë në Prokurorinë e Tiranës, pasi mori mostrat. Sipas tij, pas kësaj AKU ka vijuar me kontrollet dhe inspektimet për të gjurmuar produktet e ndara në 12 qarqe të vendit.

“Roli i AKU është të mbikëqyrë procedurën dhe për të garantuar sigurinë ushqimore. Në rastin konkret, roli i AKU ka qenë proaktiv. Do të thotë që ka ndërmarrë një sërë hapash të njëpasnjëshme që me marrjen e mostrave, ka vijuar me kontrollet dhe inspektimet, gjurmueshmërinë në 12 qarqe. Ka pasur bashkëveprim me Hetimin Tatimor dhe Policia e Shtetit. Ka nisur një auditimi për punonjësit dhe ka referuar subjektin që ka pasur këtë produkt. AKU ka bërë referimin në prokurori dhe ka vendosur bllokimin për pjesën e sasisë së gjetur. Kompania është privat, por detyrimet për ti përmbushur ndaj publikut i ka publike, prandaj është në Prokurori. Detyrimet për të zbatuar ligjin, i ka me institucionet dhe ne shkeljet i kemi referuar në Prokurori. Edhe në rastin konkret është kërkuar nga AKU pezullimi i licencës”, tha Palnikaj.

Palnikaj, njëherazi edhe Drejtues i Task-Forcës për Sigurinë Ushqimore, shtoi se nuk ka informacion se sa mish i kontaminuar është konsumuar.

“Nuk e kam këtë informacion, do duhet një kohë e caktuar të dalë. Uroj të mos i hajë askush ato. Lufta me bakteret, viruset dhe sëmundjet e influencës haviare është e përbotshme. Nga ISUF na thuhet se në rastet kur konstatohet influencë mikrobakteriale, minimumi është 9-12 ditë. Është diçka që ka të bëjë me një influencë të caktuar, për të cilën produktet parashikojnë maksimumi 12 ditë. Reagimi i AKU ka qenë i menjëhershëm. AKU ka filluar vetë një proces adutimi, ka vijuar me pezullimin me heqjen e licencës për kompaninë dhe referimin në Prokurori”, u shpreh ai.

Më tej, ai shtoi se në momentin kur ka dalë analiza se filetot e pulës janë të kontaminuara, inspektorët e AKU kanë shkuar në kompani për të bllokuar sasinë e mishit me salmonelë.

“Nëse ne e trajtojmë në mënyrë krahasuese, kjo duhet bërë me një metodologji analize. Ne kemi bashkëpunime shumë të mira me sistemin e rastit. Këto produkte vijnë edhe me kontejner, çojnë edhe të ngrira, gjurmohen nga një rrjet i tërë ku Shqipëria është pjesë. Në momentin që ka dalë analiza, inspektorët e AKU kanë qenë në kompani dhe kanë kryer një bllokim. Këto pikëpyetje ne jemi duke bërë një hetim nga ana e AKU dhe ky hetim po bëhet edhe nga Prokuroria e Tiranës. Do doja që mediat ta trajtojmë çështjen me një kujdes të veçantë, AKU ka bërë njoftimin para se të dalë në media. Kemi ndjekur protokolle standarde, në bazë të tyre kemi këtë rezultat. Ne kemi edhe audit sot që po bëhet mbi AKU dhe referimin në Prokurorinë e Tiranës dhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit”, vijoi Palnikaj.

27 ton mish pule me salmonelë u importuan këtë muaj nga Brazili në vendin tonë. Mishi me salmonelë është futur në vendin tonë nga Brazili dhe është shpërndarë në treg nga kompania “diMal”. Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me "Salmonella Typhimurium", por që në këtë kohë, mishi ishte shitur.

Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5 mijë kilogramë; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit. Në lidhje me rastin në kërkim është shpallur Arben Goxha, administratori i kompanisë, ndërsa në hetim është i vëllai, Mond Goxha, pronar i 'dimal' dhe 3 inspektorët e AKU-së, Gezim Hushi, Sada Lufta, Aldo Sinjari./ZËRI

Poll

MOS HUMB