DELVINË- Situatë alarmante paraqitet në Delvinë, teksa flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke shkrumbuar banesa e kisha. Flakët janë përhapur për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta në 3 fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, ndërsa rrezkojnë të prekin dhe fshatra të tjerë të zonës.
Bëhet me dije se si pasojë e flakëve masive, dy shefat e komisariatit të Devlinës kanë pësuar lëndime. Komisar Agim Troci ka pësuar djegie në trup teksa ndodhej në terren së bashku me ekipin e zjarrfikësve. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, Troci është transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar. Ndërkohë shefi i krimeve të Delvinës, Joni Lame është asfiksuar nga tymi dhe po ndihmën mjekësore në spitalin e Sarandës.
Po ashtu, raportohet se edhe 5 persona të tjerë janë paraqitur në Shërbimin e Urgjencës ku janë trajtuar për djegie të shkallëve të ndryshme dhe problemeve shëndetësore të shkaktuara si pasojë e asfiksimit.
Zjarret masive kanë përfshirë Delvinën prej më shumë se 1 jave, ndërsa era e fortë ka përhapur me shpejtësi flakët drejt shtëpive, ku deri tani raportohet se janë djegur 11 prej tyre. Në terren është ndërhyrë me automjete zjarrfikëse, por edhe me ndërhyrje nga ajri. Dy helikopterë kanë operuar në operacionin e shuarjes së flakëve. Ndërkohë, ekipet e emergjencave kanë nisur evakuimet në 3 fshatra të Delvinës që janë përfshirë nga zjarret katastrofike. Evakuimet nisën pas urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi zjarret kanë marrë përmasa të mëdha./ZËRI
