TIRANË- Grupi i punes i Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili verifikoi rastin e Greta Gjocit 33-vjeçares që po qëndron në burgun e Pojskës së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe.
Pas marrjes së informacionit për vendimin e gjykatës një grup pune i Avokatit të Popullit ka komunikuar me drejtuesit e institucionit të vuajtjes së dënimit dhe me vetë Gjocin. Gjatë verifikimit janë parë nga afër edhe ambientet ku qëndrojnë nëna dhe foshnja.
Përfaqësuesja e avokatit të Popullit Gloria Carkaxhiu tha se kushtet në ambientin e posaçëm të çerdhes brenda institucionit janë vlerësuar në raport me nevojat e nënës dhe fëmijës.
“Kushtet ishin të realizuara sipas nevojave. Sigurisht nuk është një rast shumë i përsëritur apo i ngjashëm, pra nuk është një rutinë e përhershme. Edhe institucioni është relativisht i ri dhe kjo ndërtesë është një institucion i ri që deri diku i plotëson kushtet”, tha Carkaxhiu.
Sipas saj, gjatë kontaktit me 33-vjeçaren nuk është paraqitur ndonjë ankesë konkrete lidhur me kushtet e qëndrimit të saj apo të foshnjës.
“Vetë zonja nuk kishte ndonjë ankesë apo ndonjë kërkesë specifike për qëndrimin, pra nuk kishte ndonjë gjë për të na adresuar posaçërisht”, u shpreh përfaqësuesja e Avokatit të Popullit.
Megjithatë verifikimi i institucionit nuk përfundon me vizitën në ambientet e burgut. Carkaxhiu bëri të ditur se do të shqyrtohet edhe dokumentacioni i mbledhur përpara se Avokati i Popullit të japë vlerësimin e tij për rastin.
“Neve do të bëjmë hetimin tonë me të gjithë dokumentacionin që kemi mbledhur dhe me ambientet që kemi vizituar. Për më shumë do të dalim me vlerësimin tonë”, tha Carkaxhiu.
Sa i përket qëndrimit të fëmijëve me nënat e tyre në institucionet e vuajtjes së dënimit, përfaqësuesja e Avokatit të Popullit sqaroi se legjislacioni shqiptar e lejon këtë mundësi për fëmijët në gji. Sipas saj fëmija mund të qëndrojë me nënën në institucion deri në moshën tre vjeç.
Në lidhje me kërkesën për pezullimin e vendimit të gjykatës Carkaxhiu theksoi se Avokati i Popullit nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimmarrjen e gjykatave.
“Ne nuk mund të ndërhyjmë në vendimmarrjen e gjykatave”, tha ajo.
Ndërkohë, në institucionin e vuajtjes së dënimit në Pojskë ndodhen edhe gra të tjera të cilat kanë kërkuar pezullimin e dënimit, duke iu referuar situatës së fëmijëve të tyre.
Ndërkohë, një reagim ka ardhur edhe nga Avokati i Popullit, duke bërë me dije se një grup pune i Mekanizmit për Parandalimin e Torturës ka shkuar në burgun e Pojskës për të verifikuar situatën dhe rrethanat e rastit./ZËRI
