
DURRËS-Makina në foton e mësipërme është mjeti tip “Audi”, me targë ‘AB 700 RS’, me të cilin dyshohet se është arratisur ditën e sotme nga spitali Rajonal i Durrësit, Altin Ndoci. (Foto e siguruar nga 'Në shënjestër"). Sipas informacioneve, arratisja e Ndocit ishte e mirëplanifikuar, pasi automjeti në fjalë ka qenë duke e pritur atë në parkingun e spitalit. Raportohet se mjeti ‘Audi A7’ me të cilin u largua Ndoci, rezulton të ketë pasur targa të vjedhura, të denoncuara disa ditë më parë.
Altin Ndoci u arratis duke shfrytëzuar një moment të shkurtër vëmendjeje të efektivëve që e shoqëronin në spitalin e Durrësit. Në një moment i paraburgosuri, gjatë vizitës ka kërkuar të shkojë në tualet. Sapo ka dalë nga tualeti, Altin Ndoci, ka qëlluar punonjësin e sigurisë dhe është larguar duke zbritur me shpejtësi shkallët nga kati i tretë i infektivit. Njëri prej dy efektivëve qëlloi me armën e shërbimit brenda spitalit, por nuk e plagosi. Ndoci ka arritur të largohet me vrap ndërsa dyshohet se një “Audi A7” luksoz e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI