
TIRANË- Ky është automjeti tip “Range Rover Sport”, i cili u përdor nga autorët në masakrën e Dobraçit, ku humbën jetën 4 persona, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha. Mjeti ishte vjedhur më datë 17 prill, në lagjen 12 të Durrësit.
Grabitja e mjetit ishte denoncuar nga pronari i saj, por nuk ishte gjetur derisa u "kap" e shkrumbuar në fshatin Grudë e Re në Shkodër.
Por para se të digjej, mjeti është "larë" i gjithi me acid për të mos lënë asnjë gjurmë të personave që ishin në bordin e makinës. Vetëm numri i shasisë është arritur të rikuperohet nga ekspertët që kanë bërë edhe lidhjen me mjetin e djegur.
Sipas informacioneve të përftuara nga burimet e policisë së Shkodrës, makina e cila u përdor nga autorët ka dalë nga rrugica ku ndodhet shtëpia e Astmer Bilalit, i cili aktualisht ndodhet në qeli si i arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Por sërish ky informacin nuk është i konfirmuar për shkak se pranë kësaj banese nuk ka kamera sigurie./ZËRI