KANADA- Një 43-vjeçar shqiptar, Paulin Harusha është vrarë me armë zjarri në Kanada. Viktima u qëllua me armë brenda automjetit të tij, ndërsa autorët u larguan pa mundur që të identifikohen nga policia.
Sipas raportimeve të policisë, ngjarja ndodhi pak para mesnatës, në sheshin mes Victoria Park Avenue dhe Sheppard Avenue East. Oficerët e patrullës mbërritën në vendngjarje dhe gjetën një burrë me plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit.
Inspektori Jonathan Rose njoftoi për mediat se, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për shpëtimin e jetës, viktima, i identifikuar si Paulin Harusha, 43 vjeç, nga Shkodra, baba i dy fëmijëve u shpall i vdekur në vendngjarje. "U morën masa për shpëtimin e jetës, megjithatë, për fat të keq, viktima u shpall I vdekur në vendngjarje," tha Rose, duke shtuar se hetimet janë në vijim për zbardhjen e këtij incidenti tragjik.
Ky është rasti i 31-të i vrasjes për vitin 2025 në qytetin e Torontos, duke reflektuar një rritje të dhunës me armë në disa zona të qytetit. Policia ka bërë me dije se të dyshuarit janë larguar nga vendngjarja me një SUV me ngjyrë të çelët, dhe hetuesit janë duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve. /ZËRI